Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i ish-zyrtarit të FBI-së në SHBA, Gjiknuri: Akuzat e opozitës groteske, tymnajë e ngritur nga opozita pas fakteve të reja për 21 janarin


Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Gjiknuri i quajti tymnajë akuzat e opozitës ndaj kryeministrit Rama lidhur me arrestimin në SHBA të ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal.

Në një konferencë për mediat nga selia rozë ai tha se akuzat janë përpjekje e opozitës për të sfumuar faktet e reja që kanë dalë lidhur me 21 janarin 2011 dhe vrasjen e katër qytetarëve.

Numri dy i PS-së tha se zyrtari amerikan në fjalë akuzohet për lidhjet e tij me pagesa nga një oligark rus dhe nuk të bëjë fare me Shqipërinë dhe takimet e përmendura nuk faktojnë asgjë.

Gjiknuri shtoi se ndryshe është rasti i lobistit Nik Muzin, i cili është hetuar nga drejtësia amerikane dhe sipas tij është faktuar se paratë e marra prej tij kanë origjinë ruse.

“Nisur nga faktet dhe çfarë kemi lexuar në atë dokument i cili i thotë të gjitha. Së pari kjo është një tymnajë e ngritur nga opozita për të sfumuar faktet e reja që kanë dalë në lidhje me 21 janarin. Ngrihet një problem tjetër që gjoja ka më shumë rëndësi se vrasja e qytetarëve të pafajshëm. Së dyti mendoj se drejtësia amerikane e ka zbardhur atë çështje. Zyrtari në fjalë, ka qenë njeri shumë i rëndësishëm, akuzohet për lidhje të tij me pagesa të një oligarku rus dhe nuk ka lidhje me ngjarjet e Shqipërisë, takimet që përmenden nuk faktojnë krime të kryera nga autoritetet shqiptare, përkundrazi ka pasur thyerje etike nga ana e tij për mospërmendjen e takimeve.

Sa i takon Nik Muzin, rasti i tij është nënshtruar drejtësisë amerikane dhe askush se ka hedhur poshtë që paratë e marra nga zotëria në fjalë kanë origjinë ruse. Në vetvete problemi ka të bëjë sesa drejt e ka zbatuar detyrën një zyrtar i lartë amerikan në lidhje me interesat e SHBA. Këtu s’mund të bësh fajtor kryeministrin që ka takuar një zyrtar të lartë të FBI, kur çdo zyrtar i lartë do ta takonte. Mos të ngatërrojmë dosjen e provuar të Muzin, me çështje të tjera. Ky lajm ka rëndësi për Amerikën dhe jo për Shqipërinë. Ky lajm ka rëndësi për Amerikën sepse është cenuar integriteti i një institucioni kaq të rëndësishëm. Ndërsa akuzat këtu janë qesharake. Na dilka një shqiptar me origjinë nga Tropoja, njohje e Sali Berishës, ish-mik i Azem Hajdarit, kushëri i Besnik Mustafait etj që na lëvizka interesat e gjithë botës? Këto janë qesharake.  Berisha nga rusofil kthehet në rusofob. Çdo ngjarje që ndodh në botë e lidh me Rusinë. Në themel mund të jetë rusofil që hiqet si rusofob që çdo gjë që ka në mendje dhe dëshiron të bëjë ia faturon tjetrit.” – tha Gjiknuri.