Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka dënuar dhunën ndaj gazetarit të Report TV, Elvis Hila dhe bashkëshortes së tij.
UGSH-ja kërkon nga policia ndalimin e autorëve dhe vënien e tyre përballë drejtësisë.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon ashpër sulmin dhunues mbi gazetarin Elvis Hila dhe bashkëshorten e tij, të ndodhur ditën e mërkurë në qytetin e Lezhës. Sulmi i dhunshëm i dy qytetarëve të identifikuar, mbi gazetarin për shkak të detyrës, përbën një agresion kriminal dhe të dënueshëm.
Kallëzimi zyrtar nga gazetari Hila dhe bashkëshortja e tij ndaj dhunuesve përbën një arsye që policia lokale të ndalojë sa më parë autorët dhe t’i verë përballë drejtësisë. UGSH dënon me forcë aktin kriminal dhe mbështet plotësisht kolegun dhe bëhet pjesë e solidaritetit të krejt kolegëve të Lezhës, ndaj tij dhe familjes.
Kërkojmë nga autoritetet e policisë së shtetit të marrin masa të menjëhershme për garantimin e qetësisë dhe sigurisë së kolegut dhe familjes së tij si dhe mundësimin e gjithë lirisë për të ushtruar detyrën e vet si reporter.”, thuhet në reagim.