Siç paralajmëroi dy ditë më parë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri deklaroi sot se selia rozë do depozitojë kallëzim penal në SPAK për ngjarjet e 21 janarit 2011 ku katër qytetarë u vranë në bulevard gjatë një proteste.
Në një deklaratë për mediat, Gjiknuri tha se kallëzimi penal përfshin ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha e ish-kreun e Gardës Ndrea Prendi.
Ai theksoi se urdhëruesit e vërtetë të vrasjes së katër qytetarëve janë Berisha e Basha dhe se vrasjet nuk ishin aspak nga pakujdesia por me dashje.
Gjiknuri tha se PS-ja i kërkon SPAK-ut të nisë hetime ndaj të kallëzuarve.
“Sot bëhen 5 ditë që publiku u njoh me një provë të re për 21 janarin. PS do të depozitojë sot një kallëzim penal ndaj Berishës, Bashës e Prendit. Referuar ngjarjes tragjike të 21 janarit. Ne e kemi drejtuar gishtin nga Sali Berisha, dhe nuk ka qytetar që nuk e di që urdhëruesit e vërtetë ishin Sali Berisha dhe bashkëpunëtori i tiji afër Lulzim Basha. Drejtësia e re është treguar e pafuqishme për të hequr pluhërin e harresës.
Prova e re përmban fakte të reja. Rezulton qartë se janë dhënë urdhra për të shtëna ndaj personave të pafajshëm. Faktohet me audio se vrasjet janë kryer në mënyrë të drejtpërdrejtë. Është bërë me porosi për të dhe urdhrin e Sali Berishës. Nga deklarimet e bëra publike të të kallëzuarit Sali Berisha tregohet sei ai vetë ka qenë në komunikim me Lulzim Bashën dhe Ndrea Prendin. Nuk kemi të bëjmë me një vrasje nga pakujdesia por të një vrasjeve të kryer me dashje. PS-ja i këkron SPAK të zhvillojë hetime konkrete ndaj të kallëzuarve.
Pse Sali Berisha dhe Lulzim Basha ishin në krye të Gardës më 21 janar. PS nuk është pushtet gjyqësor, për 12 vjet kemi mirëkuptuar këdo. Besuam të drejtësia e re, por nuk mund të vazhdojmë të mbajmë në kurriz hijen e zhgënjimit që mbajnë të vrarët e 21 janarit. Duhet vepruar tani. Çdo ditë e humbur është vonë. Do e kallëzojmë sot në SPAK.” – tha Gjiknuri.