Agjencia hapësinore amerikane njoftoi të martën se po ringjallte një partneritet të viteve 1960 me Agjencinë e Projekteve të Avancuara të Kërkimit të Mbrojtjes (DARPA), që synon të zhvillojë një anije kozmike me energji bërthamore për udhëtime në Hënë e Mars.
“NASA do punojë me partnerin tonë afatgjatë, DARPA, për të zhvilluar dhe demonstruar teknologji të përparuara të shtytjes termike bërthamore brenda vitit 2027.” – tha administratori Bill Nelson, duke shtuar se dy agjencitë do ‘ndezin të ardhmen, së bashku’.
Ndërsa Drejtoria e Misionit të Teknologjisë Hapësinore të NASA-s (STMD) do jetë përgjegjëse për ‘zhvillimin teknik për motorin termik bërthamor’, dega kërkimore e Pentagonit do jetë kontraktori kryesor për zhvillimin e reaktorit dhe motorit. Anija e ardhshme u quajt ‘DRACO’.
NASA dhe DARPA shpresojnë të kenë një ‘demostrim në hapësirë’ të anijes kozmike dhe motorit ‘që në vitin 2027’.
Drejtoresha e DARPA-s, Stefanie Tompkins, vuri në dukje se të dy agjencitë kanë një ‘histori të gjatë bashkëpunimi të frytshëm’, nga raketa ‘Saturn V’ e përdorur nga programi i hënës ‘Apollo’ i viteve 1960 deri tek furnizimi me karburant satelitor në kohët moderne.
Programi DRACO do mundësojë ‘përparime të shpejta në teknologjinë hapësinore’ në një fushë që është ‘kritike për tregtinë moderne, zbulimin shkencor dhe sigurinë kombëtare’, shtoi Tompkins.
Ndërsa kanë kaluar dekada që kur NASA u përpoq për herë të fundit të zhvillonte një motor të tillë, ‘materialet e fundit të hapësirës ajrore dhe përparimet inxhinierike po mundësojnë një epokë të re për teknologjinë bërthamore hapësinore’, tha administratori i asociuar i STMD, Jim Reuter.