Të dhënat e reja të publikuara nga Eurostat tregojnë se në gjysmën e dytë të vitit 2022, ritmet e ikjes janë përshpejtuar.
Sipas statistikave të INSTAT në periudhën janar-tetor 2022 kanë kërkuar azil në një nga vendet e Bashkimit Europian 10,975 shtetas nga Shqipëria. Fluksi më i lartë u shënua në shtator, me mbi 1,400 persona, ndërsa në tetor ritmi u ngadalësua disi në rreth 1,300.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, aplikimit për azil nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e BE-së janë rritur me 19%.
Franca mbetet destinacioni kryesor me rreth 50% të aplikimeve, e ndjekur nga Gjermania.
Eurostat raporton prej vitit 2019 vetëm aplikimet në shtetet e Bashkimit Europian dhe jo në Britaninë e Madhe. Këto të fundit i raportojnë në statistikat e tyre kombëtare aplikimet e shtetasve për azil.
Sipas të dhënave zyrtare mbi emigracionin nga Qeveria Britanike, të përpunuara nga “Monitor” në periudhën janar-shtator 2022 kanë kërkuar azil në Britani 13,272 shtetas shqiptarë.
Në tremujorin e tretë të këtij viti, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria pothuajse u dyfishua në raport me 6-mujorin e parë, kur kishin kërkuar azil rreth 7 mijë shtetas shqiptarë. Në të gjithë 9-mujorin e këtij viti, Britania e Madhe ka regjistruar 52,525 azilkërkues nga e gjithë bota, 25% e të cilëve ishin nga Shqipëria.
Si rrjedhojë, në total, për 10-mujorin e vitit 2022 kanë aplikuar për azil në shtetet e Bashkimit Europian dhe në Britaninë e Madhe të paktën 24 mijë shqiptare (për Britaninë e Madhe mungojnë të dhënat për tetorin).
Kjo është vetëm shifra e atyre që janë deklaruar si të ikur dhe kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare, ndërsa numri real i personave që janë larguar është praktikisht i pamatshëm, pasi ka shumë që ikin me kontrata pune, kryesisht në Gjermani, apo që nuk e deklarojnë se nuk do të kthehen dhe qëndrojnë të padeklaruar.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor