Vendosni fjalën kyçe....

Thesari i pagoi 17 milionë euro Korporatës së Investimeve, pagesa më e madhe e këtij viti


Departamenti i Thesarit në Ministrinë e Financave kreu 2 miliardë lekë (17 milionë euro) pagesë për Korporatën Shqiptare të Investimeve (KISH) si shtesë kapitali në zbatim të dy akteve normative të lëshuara gjatë viteve të kaluara.

Pagesa fizike u krye me datën 23 janar nën përshkrimin “Transferimet kapitale tek institucionet financiare”. Kjo ishte pagesa më vlerën më të lartë këtë vit për një zë buxhetor, sipas të dhënave zyrtare nga thesari i Ministrisë e Financave.

Korporata e Investimeve Shqiptare është një ent buxhetor i krijuar nga qeveria shqiptare me qëllim nxitjen e zhvillimit ekonomik. Qëllimi i saj janë projektet e investimit me potencial komercial në nivel qendror, vendor dhe rajonal, në mbështetje të politikave shtetërore te zhvillimit.

Qeveria e krijoi Korporatën me argumentet se efektet e funksionimit të saj do të ndihen në rritjen e punësimit dhe forcimin e hallkave ekonomike rreth projekteve të investimit. Sipas qeverisë Korporata do të ndikojë në transformimin e zonave ku do të bëhen investimet e saj dhe do lehtësojë tërheqjen e investitorëve etj.

Korporata u krijua me një ligj të miratuar qysh në vitin 2019 më vonë në mes të vitit pandemik 2020 ajo u regjistrua në Qendrën Kombëtare te Biznesit. Krijimi i saj mori kritika të ashpra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar de Banka Botërore për shkak të riskut të lartë në përdorimin e fondeve dhe pasurive publike duke anashkaluar kornizën prokurimit dhe monitorimit të fondeve.

“Ne mbetemi të shqetësuar se Korporata Shqiptare e Investimeve (KSHI) do të sjellë si rezultat risqe të reja fiskale. Aktet nën-ligjore dhe praktikat e saj duhet të sigurojnë që KSHI-ja do të ketë një fokus tërësisht tregtar dhe nuk do të varet nga injektimet e përsëritura të kapitalit nga qeveria për të mbuluar humbjet. Në përputhje me këshillën e mëparshme, theksojmë po ashtu, rëndësinë e kufizimit të funksioneve të mundshme të KSHI-së te qëllimi fillestar i saj për mbështetjen e zhvillimit ekonomik përmes shfrytëzimit të aktiveve të papërdorura publike”, referoi Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratën zyrtare të lëshuar në vitin 2019 kur u miratua ligji për funksionimin e saj.

Përvoja ka treguar se administrata shqiptare nuk ka kapacitete dhe aftësi për të monitoruar mirë-përdorimin e fondeve publike.

Kjo u duk qartë në monitorimin e kontratave koncesionare me Partnerit -Publik Privat, të cilat po operojnë jashtë kontrollit qeveritar dhe janë shndërruar në gropa të zeza të fondeve publike.

Ministria e Financave gjatë vitit të kaluar dështoi të hartojë një raport për operimin e koncesioneve PPP në përputhje me ligjin, ndërkohë që 20% e kontratave janë lënë jashtë këtij procesi që tashmë është detyrim ligjor./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor