Policia e Dibrës ka zbardhur vdekjen e një 60-vjeçari me iniciale N.B. në qershor 2022, i cili ndërroi jetë në spital.
Viktima u dërgua në spital pasi dyshohej se ishte rrëzuar nga një mjet, por pas hetimeve tremujore, policia thekson se bëhet fjalë për vrasje.
Personi në fjalë është dhunuar nga tre persona pas një përpasjeje për motive të dobëta dhe më pas ka ndërruar jetë në spital dy ditë pas ngjarjes.
Në pranga kanë rënë 49-vjeçari E.T., 64-vjeçari A.T. dhe 53-vjeçari L.K., të tre banues në Peshkopi.
Njoftimi
“Zbardhja e ngjarjes, si rezultat i hetimeve të thelluara, të zhvilluara nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër. Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, për 3 shtetas të cilët ishin nën hetim, për këtë ngjarje, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit, të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, si rezultat i një pune hetimore të pandërprerë, në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të një ngjarjeje të ndodhur në qershor të vitit 2022, në fushën e krimeve kundër personit, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Deepened”, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:
E.T., 49 vjeç, A. T., 64 vjeç dhe L. K., 53 vjeç, të tre banues në Peshkopi.
Nga tërësia e hetimeve të thelluara dyshohet se më datë 26.06.2022, në lagjen “Kamen”, Peshkopi, pranë lokalit të shtetasit L. K., pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. T., në bashkëpunim me shtetasit A. T., L. K. dhe O. T. (i arrestuar më parë), kanë plagosur rëndë 60-vjeçarin N. B., i cili si pasojë e dëmtimeve të marra humbi jetën në spital, dy ditë pas ngjarjes. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër ka urdhëruar ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, e cila ka caktuar për secilin nga këta shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”