Vendosni fjalën kyçe....

Banka e Shqipërisë mban në zero normat e shpërblimit për rezervat e bankave në euro


Procesi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë ka sjellë, mes të tjerash, një rritje të normës së remunerimit (shpërblimit) banka qendrore iu paguan bankave tregtare për shumën e rezervës së detyrueshme në lekë.

Norma e remunerimit të rezervës së detyrueshme në lekë aktualisht është e barabartë me nivelin e normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë. Norma bazë ka arritur në 2.75%, nga 0.5% që kishte qenë deri në mars të vitit të kaluar. Kjo ka rritur edhe përfitimet nga shuma që bankat tregtare janë të detyruara të mbajnë pranë Bankës së Shqipërisë, në formën e rezervës së detyrueshme.

Por, nga ana tjetër, norma e remunerimit nuk është rritur në mënyrë proporcionale për rezervën e detyrueshme në euro. Sipas vendimmarrjes në fuqi, norma e remunerimit të rezervës së detyrueshme në euro është e barabartë me normën e interesit të depozitave ditore të Bankës Qendrore Europiane (BQE), por jo më e madhe se zero. Megjithëse norma e interesit të depozitave ditore të BQE-së ka arritur tashmë në 2%, nga -0.5% që ishte deri në mesin e vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë ka vendosur që norma e remunerimit të rezervës së detyrueshme në Euro të qëndrojë në nivelin zero.

Një masë e tillë ka qëllime të ngjashme me ato të parashikuara në strategjinë e deeuroizimit: rritjen e kostos së ndërmjetësimit financiar në euro dhe nxitjen e bankave tregtare për të rritur peshën e lekut në bilancet e tyre.

Rezerva e detyrueshme konsiston në një përqindje të caktuar të detyrimeve (kryesisht depozitave) që secila bankë duhet t’i mbajë të bllokuara pranë Bankës së Shqipërisë.

Në vitin 2018, në kuadër të strategjisë së deeuroizimit, Banka e Shqipërisë vendosi të aplikojë shkallë të diferencuar të rezervës së detyrueshme për lekun dhe për valutat e huaja.

Norma e rezervës së detyrueshme u ul nga 10% në 7.5% për detyrimet në lekë me afat maturimi jo më të gjatë se 12 muaj dhe 5% për detyrimet në lekë me afat fillestar më të gjatë se 12 muaj deri në 2 vjet.

Për valutat e huaja, norma e rezervës së detyrueshme u rrit nga 10% në 12.5% për detyrimet në valutë, kur këto zënë nën 50% të totalit dhe në 20% për pjesën e detyrimeve në valutë mbi 50% të totalit.

Këto masa synonin të ulnin përdorimin e euros në sektorin financiar, por rezultatet e tyre deri tani kanë qenë modeste. Në analizën periodike të treguesve që monitorohen në kuadrin e strategjisë së deeuorozimit, Banka e Shqipërisë vlerësonte se në mesin e vitit 2022 depozitat në valutë arritën në 53.2% të totalit të depozitave të klientëve, rreth 1.4 pikë përqindje më lart se fundi i gjashtëmujorit të kaluar dhe 2.3 pikë përqindje më lart se një vit më parë.

Depozitat në valutë janë rritur me 4.7% krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe 13.8% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa kreditë në valutë shënuan nivelin 51.2% të tepricës së kredive, 1.4 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.

VINI RE: Artikulli është pronë inelektuale e Revista Monitor