Kreu i PD-së Berisha pohoi mbrëmjen e sotme se lajmin për thirrjen në SPAK të të birit, Shkëlzenit e kishte mësuar nga mediat.
Ai theksoi se kjo është bërë për të tërhequr vëmendjen nga ai që e quajti ‘superskandali Rama-McGonigal’.
I ftuar në emisionin ‘Open’ në Neës24 ai tha se thirrja e të birit është mirëfilli politike.
“Të jem i sinqertë, e kam marrë vesh nga mediat që djali im është thirrur në Prokurori. Këtë nuk më kishte thënë që sot ishte i thirrur në SPAK. Problemi është i tillë, ekziston një faks, që origjinali nuk është gjetur kurrë, i dërguar nga Ministrinë e Drejtësisë në Ministrinë e Brendshme, ku shkruhet se kjo t’i jepet Shkëlzenit, jo Shkëlzen Berishës, por Shkëlzenit. Kjo është servirur si shkrim i Aldo Bumçit, dhe kjo ka ndodhur një javë pasi Ministria e Drejtësisë kishte dërguar shkresën zyrtare për problemin, siç është ligji. Kjo ishte sikur nga Ministria e Drejtësisë i drejtohej djalit tim në Ministrinë e Brendshme, me të cilën ai nuk kishte asnjë lidhje. Bumçi s’e kishte shkruajtur kurrë këtë shënim. Ai mori dhe e paditi në prokurori si falsifikim të shkrimit të tij. Padi që prokuroria nuk u mor kurrë. Aldo Bumçi e mohon dhe ka hapur padi për këtë faks, në të cilin i falsifikohet firma. Prokuroria në vend që të hetojë, nuk ka hetuar deri sot dhe thërret Shkëlzenin pas 15 vitesh. Duhet hetuar, por hetimi i parë është për ish-ministrin që deklaron se më kanë falsifikuar shkrimin. Kjo nuk është bërë sepse nuk u interesonte sepse del që është falsifikim. Është thjeshtë një thirrje që i kanë bërë për të mundur superskandalin e Rama-McGonigal. E gjitha kaq. Ai është SKAP-i i partisë, por prokuroria duhet të thërrasë cilindo që i duhet. Kjo është thirrje politike e mirëfilltë.” – tha Berisha.