Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, në vijim të takimeve me banorët e kryqytetit, u ndal këtë të enjte në Njësisë 10, në rrugët “Myslym Shyri“, “Ibrahim Rrugova“ dhe “Rr. Kavajës“ ku ka dëgjuar shqetësimet e tyre.
Sipas diskutimeve të tij me banorët, taksat e larta ishin shqetësimi kryesor i bizneseve në këtë zonë.
“Mbledhja e këshillit bashkiak duhet të jetë dhe ulje taksash“, tha një tregtar.
Ndërsa përsa i përket zënies së hapësirës publike, qytetarët janë të shqetësuar pasi rrugët dhe dyert e bizneseve janë të zëna nga skela ndërtimi. Sipas tyre, varfëria shihet kudo në kryeqytet, edhe në një nga zonat më të lakmuara të Tiranës, ku bizneset e vogla hasin të njëjtat vështirësi si në vendet periferike apo rurale. Këtë e dëshmoi një prej tregtarëve, i cili i pyetur nga kandidati i PD për Tiranën Këlliçi, tha se ka tentuar ta mbyllë disa herë aktiviteti e tij për shkak të borxheve të banorëve. Mungesa e hapësirave publike dhe në veçanti parkimi ishte një nga shqetësimet e vazhdueshme që banorët e zonës i shprehën kandidatit Belind Këlliçi.
“Na duhen parqe për fëmijët sepse shkojmë përditë nga liqeni duke kërkuar parking“, tha një qytetar.
“Nga ana tjetër e shef atë tjetrin në televizor: Po bëj parqe, po bëj lojra“, ironizoi një tjetër banor.
Me anë të takimeve të përditshme dhe bisedave në terren, kandidati i PD për Tiranën Belind Këlliçi po zhvillon një tur dëgjimi në kryeqytet me qëllim që kërkesat specifike t’i dëgjojë nga vetë qytetarët.