Deputetë të Partisë Demokratike kanë dorëzuar në Kuvend kërkesën për ndryshimin e Rendit të Ditës në Seancën e sotme Plenare.
Ata kërkojnë mocion me debat për çështjen në SHBA të ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal, lidhur me akuzat ndaj tij për marrjen e një shume prej 225 mijë dollarësh nga një ish-agjent i sigurimit shqiptar dhe takimet e padeklaruara me kryeministrin Edi Rama.
Në kërkesë thuhet se “duke pasur parasysh përmasën e jashtëzakonshme të këtij skandali të paprecedentë, ku Kryeministri shqiptar përfshihet si subjekt hetimi dhe akuzash për përfshirje në korrupsion ndërkombëtar, minimin e besimit të publikut ndaj institucioneve të shtetit shqiptar dhe cenimin e marrëdhënieve politike dhe diplomatike ndërshtetërore ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; Si dhe, bazuar në Nenin 31 pika 2 dhe Nenin 98 të Rregullores së Kuvendit, një grup prej 16 deputetësh kërkon ndryshimin e Rendit të Ditës;
Në përputhje me pikën 1, përfshirjen si pikë e parë e Rendit të Ditës të një Mocioni me Debat për çështjen e mësipërme”.
Po kështu deputetët e PD kërkojnë që kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla të mbledhë menjëherë pas dorëzimit të kësaj kërkese, Konferencën e Kryetarëve, para fillimit të Seancës Plenare datë 26 janar 2023, ora 11.00, për të bërë ndryshimin e Rendit të Ditës të kësaj seance sipas kërkesës së mësipërme.
Mes firmëtarëve të kërkesës është dhe kreu i PD-së Sali Berisha, teksa maxhoranca ka deklaruar se nuk do të pranojë asnjë kërkesë që mban firmën e tij.