Vendosni fjalën kyçe....

SHBA s’ka rezerva të mjaftueshme municionesh për një luftë të zgjatur me Kinën – Studimi


Shtetet e Bashkuara nuk kanë rezerva të mjaftueshme municionesh apo kapacitet industrial për t’i rimbushur ato për një konfrontim të madh ushtarak me Kinën, ka paralajmëruar një institut amerikan.

Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), e cila drejtoi simulimin, i ka kërkuar Pentagonit të grumbullojë armë dhe materiale për prodhimin e tyre dhe të nxisë prodhuesit të ndërtojnë objekte të reja duke ofruar kushte më të mira.

CSIS, një organizatë jofitimprurëse që rendit ndër donatorët e saj kontraktorët kryesorë të mbrojtjes, duke përfshirë Lockheed Martin, Boeing dhe General Dynamics, kritikoi gjendjen e industrisë së mbrojtjes amerikane si të pamjaftueshme për ‘mjedisin konkurrues të sotëm’.

Baza e prodhimit nuk mund të mbështesë një konflikt të zgjatur dhe me intensitet të lartë, thuhej në raportin e lëshuar të hënën. Vendi kishte pak armë të caktuara në simulim, duke përfshirë raketat Javelin dhe Stinger, obuset 155 mm dhe radarët kundër artilerisë, pasi këto ishin dërguar në Ukrainë.

Në një konflikt të mundshëm me Kinën mbi Tajvanin, për të cilin CSIS vlerësoi se mund të shpërthejë me pak kohë përgatitore, ky skenar mund të përsëritet.

“Në gati dy duzina përsëritje të një loje lufte CSIS që ekzaminoi një luftë SHBA-Kinë në ngushticën e Tajvanit, Shtetet e Bashkuara zakonisht shpenzuan më shumë se 5000 raketa me rreze të gjatë veprimi në tre javë konflikt: 4000 JASSM, 450 LRASM, 400 Harpoon, dhe 400 raketa sulmi tokësor Tomahawk (TLAM)”, thuhet në raport.

Instituti parashikoi që LRASM, raketat kundër anijeve me rreze të gjatë, do kishin një rëndësi të veçantë në rast se marina kineze do vendoste një bllokadë të ishullit të vetëqeverisur.

SHBA përdori inventarin e saj të atyre armëve në javën e parë në çdo përsëritje të konfliktit të modeluar, vuri në dukje CSIS, duke shtuar se koha e prodhimit të armës është dy vjet.

Raporti identifikoi një sërë dobësish themelore, duke përfshirë statusin e Pentagonit si blerës i vetëm i armëve dhe rregullat e blerjes së tij, të cilat i japin përparësi ‘efikasitetit dhe kontrollit të kostos në kurriz të shpejtësisë dhe kapacitetit’.

Prodhuesit nuk gëzojnë kërkesë të parashikueshme për municione, të cilat mund të sigurohen nga kontrata shumëvjeçare, për shembull, shpjegoi raporti. Investimi serioz në kapital dhe personel ‘nuk është një vendim i shëndoshë biznesi’ për ta.