Turqia ka anuluar një takim trepalësh me Suedinë dhe Finlandën, duke lënë në harresë planet e dy vendeve nordike për t’u bashkuar me NATO-n, njoftoi televizioni shtetëror turk TRT.
Marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Stokholmit u përkeqësuan gjatë fundjavës, pas një proteste të sanksionuar për djegien e Kuranit jashtë ambasadës turke në kryeqytetin suedez.
Raporti i TRT, duke cituar burime anonime diplomatike turke, pretendon se takimi, i planifikuar për muajin e ardhshëm në Bruksel, është shtyrë me kërkesë të Ankarasë.
Një burim në presidencën turke theksoi se vendimi nuk ishte një anulim, por më tepër një shtyrje, pa një afat kohor të caktuar. Zyra e Presidentit Erdogan nuk pranoi të komentonte zyrtarisht, kur u pyet nga media.
Të hënën, kreu i shtetit turk e bëri të qartë se Suedia ‘nuk do marrë asnjë mbështetje nga ne në lidhje me NATO-n’ për shkak të dështimit të Stokholmit për të treguar respekt ndaj ‘besimit të Republikës së Turqisë apo myslimanëve’.
Deklaratat e tij erdhën pasi autoritetet suedeze lejuan që një ngjarje kundër myslimanëve të zhvillohej përpara misionit diplomatik turk në Stokholm të shtunën. Politikani danezo-suedez i ekstremit të djathtë Rasmus Paludan dogji një kopje të librit të shenjtë mysliman, Kuranit, gjatë ngjarjes.
Ngjarja erdhi disa ditë pasi aktivistët kurdë varën me kokë poshtë një shëmbëlltyrë të Presidentit Erdogan nga një llambë në Stokholm.
Ndërsa autoritetet suedeze dënuan shfaqjen e diskutueshme të Paludan, ata këmbëngulën se duhej të autorizonin protestën në përputhje me ‘lirinë e gjerë të shprehjes’ të vendit.
Suedia dhe Finlanda aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO në maj 2022 pas ofensivës ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës.
Të dy vendet kanë nevojë për mbështetjen njëzëri të të gjitha vendeve anëtare të bllokut. Ndërsa shumica i kanë mbështetur kandidaturat, Turqia dhe Hungaria ende nuk e kanë bërë këtë.
Ankaraja e kushtëzoi pëlqimin e saj me përmbushjen e disa kushteve nga Stokholmin dhe Helsinki si heqja e embargos së armëve që kishin vendosur më parë ndaj Turqisë. Për më tepër, Presidenti Erdogan ka kërkuar që ato të ndalojnë strehimin e anëtarëve të grupeve të konsideruara terroriste nga Ankaraja.
Pavarësisht se Suedia dhe Finlanda janë zotuar të adresojnë këto shqetësime, Turqia ka thënë se nuk është plotësisht e kënaqur me përparimin.