Vendosni fjalën kyçe....

UNESCO shpall qendrën historike të Odesës zonë të rrezikuar të Trashëgimisë Botërore


Qendra historike e qytetit ukrainas të Odesas, është shpallur zonë e rrezikuar e Trashëgimisë Botërore nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Kulturë (UNECSO)

Agjencia ka thënë se vendimi i saj e njeh “vlerën e jashtëzakonshme” të kësaj zone.

Mirëpo Rusia e ka kritikuar këtë vendim, duke thënë se është “i motivuar politikisht”.

E njohur si perla e Detit të Zi, Odesa është bombarduar disa herë nga Rusia, prej nisjes së luftës në Ukrainë.

Vitin e kaluar, banorët kanë tentuar të mbrojnë monumentet e qytetit dhe disa ndërtesa, duke i mbuluar me thasë.

Duke folur pas votimit, shefja e UNESCO-s, Audrey Azoulay, ka thënë se shpallja e qytetit si zonë e Trashëgimisë Botërore është hap i rëndësishëm.

Ajo ka thënë se vendimi nënkupton që të gjitha vendet anëtare të konventës, përfshirë Rusinë, kanë obligim “që të mos e shkatërrojnë me qëllim” këtë zonë.

Disa pjesë të Odesas janë shpallur në listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik, çka do të thotë se UNESCO i jep qytetit qasje në ndihmë teknike dhe financiare.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka mirëpritur këtë vendim, duke thënë se është “mirënjohës ndaj partnerëve që na kanë ndihmuar në mbrojtjen e kësaj perle nga sulmet e pushtuesit rus”.

Rusia, e cila ka tentuar vazhdimisht që të shtyjë votimin, e ka akuzuar Ukrainën për “shkatërrim” të monumenteve të veta.