Vendosni fjalën kyçe....

Balliu: Shumica e 200 fëmijëve azilkërkues të rrëmbyer në Britani janë shqiptarë, Rama i zhdukur pas kapjes në rrjetën e drejtësisë amerikane


Sekretari Organizativ në PD Klevis Balliu ka akuzuar kryeministrin Rama për shpopullimin e vendit.

Ai citon një deklaratë të ministrit britanik Simon Murray sipas të cilit në Britani më shumë se 200 fëmijë azilkërkues janë rrëmbyer me 80% prej tyre që janë shqiptarë.

Në një deklaratë për mediat Balliu tha se ndërsa Rama është strukur pasi ka rënë në rrjetën e Departamentit të Drejtësisë në SHBA duke paguar ryshfet për të asgjësuar opozitën, asnjë nga ministrat e tij nuk ka reaguar lidhur me deklaratën që vjen nga Britania.

Në fund të deklaratës Sekretari Organizativ në selinë blu tha se shqiptarët nuk mund të jenë personazhe të serialit dramatik të jetës.

Deklarata e Balliut

“Në maj 2020, Edi Rama na rrëfeu sa shumë i kishte pëlqyer seriali britanik “Bandat e Londrës”. Kryeministri e përgëzonte publikisht Orli Shuken, aktorin me origjinë shqiptare te serialit me fjalët “…më la lidhur dy netë deri kur u zgjuan tërë gjelat e Surrelit. Realisht super dhe më ke bërë krenar”.

Tre vjet më vonë kur në Londër luhet një tjetër serial dramatik, kësaj radhe jo në film, por në jetën reale, kryeministri nuk kujtohet për “aktorët shqiptarë”.

Bëhet fjalë për aktorë të dramës së madhe të shpopullimit të Shqipërisë, dhe për më shumë për fëmijë.

Ministri Britanik Simon Murray nëpërmjet një deklarate publike njofton se 200 fëmijë azilkërkues janë rrëmbyer dhe 80% prej tyre janë shqiptarë.

Nga ministrat e Ramës asnjë zë. Rama vetë është zhdukur pas kapjes në rrjetën e Departamentit të Drejtësisë teksa trafikonte favore e ryshfete dhe bënte lobime për të asgjësuar opozitën e vendit të vet.

Ku është Rama që preferon të flasë vetëm për 21 janarin e 12 viteve më parë, por hesht si fija e barit për qindra fëmijë shqiptarë të zhdukur? A nuk janë edhe ata ‘dëshmorët’ e rënë në luftën me regjimin e padurueshëm të tij?

Pse nuk reagon, medemek i indinjuar, siç bëri kur një tjetër ministër britanik tha se duhen përzënë shqiptarët kriminelë?

Nuk i dhimbsen shqiptarët, e ka kokën në halle të tjera, apo të dyja bashkë?

Ky është vetëm një episod i radhës në dramën e shpopullimit masiv të Shqipërisë nën qeverisjen e Edi Ramës.

Mes 745 mijë të larguarve në të gjithë botën, e dhjetra mijrave në Britani, janë edhe këta qindra fëmijë shqiptarë fati i të cilëve nuk dihet. Janë në shtëpitë e barit, janë trafikuar, janë shitur apo cfarë?

Pse nuk ia bën një telefonatë publike kryeministri homologut britanik apo ministrit të linjës, sic bëri me Presidentin Zelensky, duke bërë si i merakosur dhe si pjesë e “koalicionit të luftës”?

Nuk i intereson. Nuk bën dot spin. Nuk ia ndjen fare për ata fëmijë.

Armiqtë e familjes shqiptare dhe fatit të saj janë disa dhe Edi Rama është kryesori ndër ta.

T’i dalim zot familjes dhe fëmijëve, t’i dalim zot shtetit, kombit dhe Shqipërisë. Shqiptarët nuk mund të jenë personazhe të serialit dramatik të jetës, edhe pse Edi Ramës i shijon ky triller me shpenzimet e të tjerëve.”