Kreu i PD-së Berisha i ka bërë thirrje FBI-së dhe Kongresit amerikan që të hetojë se cilat janë pikat që bashkojnë kryeministrin Rama e ish-agjentin e FBI-së McGonigal.
Në një konferencë për mediat kryedemokrati tha se një nga njerëzit më të besuar të FBI-së u korruptuar nga Rama për të goditur opozitën në Shqipëri.
Po kështu ai përmendi edhe parardhësin e McGonigal në zyrën e FBI-së Lou Bladel, duke bërë thirrje që edhe ai të hetohet pasi ka kontrata të firmosura direkt me qeverinë e Edi Ramës dhe të dy të hetohen për veprime kundër demokracisë në Shqipëri.
“Unë kam denoncuar këtu këtë fenomen ndër më të rrezikshmit, që arrin në formën më kulmore në rastin e regjimit të Edi Ramës. Paguhet njeriu më i besuar i FBI-së për të sulmuar, për të ndërmarrë veprime dhe akte kundër opozitës demokratike të një vendi me qëllimin makabër të marrjes peng të kreut të saj. SHBA udhëheqein me vlerat dhe parimet që ato mbrojnë. Edi Rama rekruton me korrupsion McGonigal për t’i futur thikën opozitës, për të çimentosur pushtetin korruptiv të Edi Ramës. Ai e ka kthyer zyrën e tij në çerdhen, në një kënetë të vërtetë korruptive. Unë i bëj thirrje FBI dhe kongresit të Shteteve të Bashkuara të hetojnë se cilët janë pikat që e bashkuan Ramën me McGonigal, kush e solli dhe kush e rekomandoi? Kush qëndron në mes ndaj këtij akti makabër ndaj Shteteve të Bashkuara. Edhe paraardhësi i McGonigal ka kontrata të firmosura me Qeverinë e Edi Ramës dhe që rezulton të jetë i implikuar direkt Të hetohet veprimtaria e McGonigal dhe paraardhësit të tij kundër demokracisë në Shqipëri.” – tha Berisha.