Vendosni fjalën kyçe....

Përjashtohen për 10 ditë nga Kuvendi Berisha e katër deputetë të tjerë të PD-së


Pesë deputetë të PD-së janë përjashtuar nga seancat e Kuvendit për 10 ditët e ardhshme pasi bllokuan foltoren në seancën e djeshme.

Vendimi është marrë nga Sekretariati për Etikën pas kërkesës së bërë nga shtatë deputetë socialistë. Deputetët e përjashtuar janë Sali Berisha, Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edmond Spaho e Edi Paloka ndërsa kërkesa është firmosur nga Ismet Beqiraj, Petro Koçi, Denis Deliu, Arben Pëllumbi, Ermonela Felaj, Mimi Kodheli e Gerta Duraku.

“Konkretisht këta pesë deputetë, zaptuan foltoren dhe penguan zhvillimin normal të seancës plenare, duke bërë të pamundur që deputetët të merrnin fjalën, siç ishte parashikuar në rendin e ditës. Edhe pas tërheqjes së vëmendjes dhe dhënies së vërejtjes nga drejtuesja e seancës, deputetët e sipërcituar vazhduan të pengonin zhvillimin e rregullt të seancës plenare, duke mbajtur të zaptuar foltoren. Gjithashtu, drejtuesja e seancës u detyrua të merrte edhe masën disiplinore “Për përjashtimin nga seanca plenare” ndaj tyre, por pavarësisht kësaj, këta deputetë nuk pranuan të dalin nga salla”, thuhet në letrën e 7 deputetëve socialistë, teksa kërkojnë marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare deri në 10 ditë.” – thuhet në kërkesën e deputetëve socialistë.