Pas Shkodrës e Vlorës, policia ka zhvilluar një aksion kundër kamerave të vendosura nga grupet kriminale për të mbikëqyrur veprimet e policisë edhe në Durrës, Shijak e Krujë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 47 kamera ndërsa lidhur me aksionin janë 8 personam dy prej të cilëve në Durrës e 6 të të tjerë në Shijak.
Bëhet fjalë për Albert Muharremin, vëllain e Landi Muharremit ‘Rrumit të Sukthit’, Xhulio Vorën, Astrit Balliun (Avdyli), Jasin Kalën (Avduli), Altin Avdyli e Sajmir Gjepalin.
Njoftimi
“Qarku Durrës/Vijon zbatimi i planit operacional policor të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në të gjitha qarqet e vendit.
Finalizohet në Durrës, faza e katërt e këtij plani operacional mbarëkombëtar. Kjo fazë u shtri në qytetet Durrës, Shijak dhe Krujë.
Gjatë kësaj faze, Policia çmontoi në Durrës, Shijak dhe Krujë, 47 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin.
Në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, 8 shtetas, nga këta, 2 shtetas në Durrës dhe 6 shtetas në Shijak, të cilët i kishin montuar këto kamera, në mënyrë të kundërligjshme.
Vijojnë hetimet e thelluara, për të identifikuar dhe proceduar shtetasit që kanë vendosur kamera në Nikël dhe në Krujë, si dhe për të zbardhur qëllimin e vërtetë të vendosjes së tyre.
Strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me komisariatet e Policisë Durrës, Shijak dhe Krujë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave, në disa lagje të qyteteve në qarkun e Durrësit, me qëllim sigurimin e informacioneve, për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.
-Gjatë fazës së katërt të këtij plani operacional, në Durrës, në lagjet nr. 6 dhe nr. 17, janë çmontuar 11 kamera, si dhe janë në hetim, shtetasit D. K. dhe P. D. (aktualisht i shpallur në kërkim për një vepër tjetër penale).
-Plani operacional ka vijuar në Shijak dhe nga kontrolli i ushtruar në qendrat urbane të kësaj bashkie, bazuar në planin e masave të iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, u çmontuan dhe u sekuestruan 18 kamera të vendosura në lagjen e “Keçeve” dhe në lagjet “Popullore”, “Kodër Sukth” dhe “Partizani”.
Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, janë në hetim shtetasit J. K., A. B., A. A., Xh. V., A. M. dhe S. Gj.
-Gjithashtu, plani operacional “Fijet”, ka vijuar në Krujë dhe në Nikël, ku janë çmontuar dhe sekuestruar 18 kamera të tjera, të vendosura në shtyllat elektrike të disa lagjeve të qytetit të Krujës dhe në Nikël. Vijon intensivisht puna hetimore, për identifikimin dhe procedimin penal, të shtetasve që kanë vendosur në mënyrë të kundërligjshme, këto kamera.
Në bashkëpunim me prokuroritë pranë gjykatave të rretheve gjyqësore Durrës dhe Krujë, vijon puna intensive për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së kamerave në Nikël dhe në Krujë, si dhe për identifikimin dhe procedimin penal të shtetasve që i kanë vendosur këto kamera.”