Vendosni fjalën kyçe....

Sekuestrohen pasuritë e Florenc Çapjas në Elbasan e Pogradec, katër apartamente, një dyqan e 4710 metra katrorë tokë


Pesë pasuri të patundshme dhe një sipërfaqe 4710 metra katrorë tokë në pronësi të Florenc Çapjas janë sekuestruar nga policia.

Konfiskimi ka ardhur si pjesë e hetimit të operacionit ‘Plumbi i artë’ ndërsa pasuritë janë sekuestruar në Elbasan e Pogradec.

Aktualisht Çapja ndodhet jashtë vendit ndërsa është në kërkim pasi akuzohet  për vrasjen e Nezir e Gentian Beqirit në Elbasan.

Njoftimi

“Konfiskohen 5 ambiente (4 banesa dhe 1 aktivitet tregtar) dhe 4710 m2 sipërfaqe toke, të ndodhura në Elbasan dhe në Pogradec të Florenc Çapjas. Kofiskimi erdhi si rezultat i hetimeve të thelluara në kuadër të operacionit policor të koduar “Golden Bullet” (Plumbi i Artë).

Hetimet e thelluara u zhvilluan nga Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me DVP Elbasan, nën drejtimin e SPAK-ut.

Pasuritë e konfiskuara, në pronësi të një shtetasi në kërkim ndërkombëtar për vrasje të dyfishtë dhe në pronësi të familjarëve të tij. Çapja akuzohet si porositës për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri.

Njësia “E” për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në vijim të hetimeve të thelluara në kuadër të operacionit policor të koduar “Golden Bullet”, ka referuar materialet në Prokurori për iniciimin e një procedimi pasuror dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në zbatim të vendimit të datës 09.12.2022, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kanë konfiskuar pasuri të paluajtshme, në pronësi të shtetasit F. Ç., 42 vjeç (në kërkim ndërkombëtar për vrasje të dyfishtë) dhe të familjarëve të tij, konkretisht:

-Pasuri e llojit arë, me sipërfaqe 500 m2, në Udënisht, Pogradec;

-Pasuri e llojit truall me sipërfaqe 36.2 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 25.73 m2, në lagen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;

-Pasuri e llojit arë+truall+ndërtesë, me sipërfaqe totale 1756 m2, truall me sipërfaqe 450 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 214 m2;

-Pasuri e llojit godinë banimi, me sipërfaqe trualli 498.8 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 293.8 m2, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;

-Pasuri e llojit truall+ndërtesë, me sipërfaqe totale 360 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 120 m2, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;

-Pasuri e llojit arë, me sipërfaqe totale 720 m2, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;

-Pasuri e llojit arë, me sipërfaqe totale 764 m2, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;

-Pasuri e llojit arë, me sipërfaqe totale 1380 m2, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;

-Subjekt me aktivitet lavazh dhe bar-kafe, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan.

Vijon puna për gjurmimin dhe konfiskimin e pasurive të tjera me burime kriminale, të cilat ky shtetas mund t’i ketë regjistruar në emër të tij apo të familjarëve të tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”