Qeveria e Bjellorusisë, e cila gjatë tre viteve të fundit është afruar politikisht gjithnjë e më shumë me Rusinë, është nën presionin e Moskës për të thelluar përfshirjen e saj në luftën ruse kundër Ukrainës.
Çështja është nëse presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko do i lejojë forcat e armatosura të Moskës të nisin nga vendi i tij një sulm ndaj Kievit, kryeqytetit të Ukrainës.
Presidenti rus Vladimir Putin dëshiron të pushtojë kryeqytetin. Një pushtim i tillë do ishte pjesë e rëndësishme e një përpjekjeje më të gjerë për të marrë territorin ukrainas, një pjesë të të cilit Rusia e fitoi dhe më pas e humbi gjatë luftës në vijim.
Këtë muaj, Rusia dhe Bjellorusia filluan manovrat e përbashkëta ajrore dhe tokësore, të cilat janë planifikuar të përfundojnë në fillim të shkurtit. Zyrtarët ukrainas presin një ofensivë të madhe ruse diku pas kësaj.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu foli me homologun e tij bjellorus, Viktor Khrenin, me telefon dhe zyrtarët ushtarakë rusë thuhet se po mbajnë bisedime të vijueshme në Bjellorusi për të krijuar kushte për përdorimin e vendit si pikënisjeje të një sulmi ndaj Kievit.
Zyrtarët bjellorusë raportuan në mënyrë të paqartë se dyshja diskutuan ‘përparimin në përgatitjen’ e bashkëpunimit të ardhshëm të përhershëm ushtarak. Vitin e kaluar, ndërsa pushtimi filloi, Lukashenko lejoi Rusinë të lëshonte raketa në Ukrainë nga territori bjellorus dhe të linte disa njësi të futeshin në terren.
Megjithatë deri tani ai i rezistuar presionit të Putinit për të shkuar përtej kësaj dhe për të lejuar një forcë të madhe trupash ruse të sulmojnë Kievin, i cili ndodhet shumë afër kufirit me Bjellorusinë. Zyrtarët ukrainas janë të bindur se trupat ruse do nisin një sulm nga Bjellorusia.
Koloneli Oleh Zhdanov, një ish-oficer operativ në Forcat e Armatosura të Ukrainës, u tha gazetarëve në Kiev se rusët do të bëjnë një ‘sulm pykë’ ndaj kryeqytetit nga lindja dhe jugu. Ukraina ‘po shikon ushtrinë ruse duke lëvizur vazhdimisht 10,000-12,000 ushtarë në Bjellorusi’, tha ai.
Rustem Umerov, një ligjvënës ukrainas, shtoi: “Rusët po na rrethojnë nga 240 gradë, duke sulmuar nga Deti i Zi, nga Bjellorusia dhe rajonet Luhansk dhe Donetsk, të cilat shtrihen në lindje.”
Trupat ruse mbërritën në Bjellorusi tetorin e kaluar. Prania e tyre e vazhdueshme ka ngritur pikëpyetje, jo vetëm për rolin e tyre të mundshëm në sulmin ndaj Ukrainës. Përtej kësaj, ata ndoshta do qëndrojnë dhe do paraqesin një kërcënim të ri për krahun lindor të NATO-s.
Në varësi të vendit ku Rusia i vendos trupat, numrit dhe armatimit të tyre, ato mund të kërcënojnë tre shtetet e NATO-s të Detit Baltik, Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë. Në territorin polak ngjitur me kufirin e Lituanisë është ‘Korridori Suwalki’ i quajtur gjithashtu ‘Hendeku Suwalki’, një kalim tokësor që lidh rajonin e izoluar rus të Kaliningradit në Detin Baltik dhe Bjellorusinë.
“Një veprim i tillë mund të rrisë në mënyrë dramatike sfidën me të cilën përballet NATO për mbrojtjen e shteteve baltike nga ndonjë sulmi i mundshëm rus.” – pohoi një raport i lëshuar dhjetorin e kaluar nga Instituti për Studimin e Luftës, me bazë në Uashington. Ai do vendoste njësi të mekanizuara ruse në të dy skajet e korridorit të ngushtë Suwalki, përmes të cilit duhet të kalojnë ‘furnizimet dhe përforcimet e NATO-s për shtetet baltike’.
Lukashenko, pak vite më parë u shfaq si një burrë shteti, misioni i të cilit ishte të lehtësonte tensionet Lindje-Perëndim. Në 2014 dhe 2015, ai priti bisedimet e paqes në Minsk, kryeqyteti i Bjellorusisë, të thirrura për t’i dhënë fund luftimeve midis qeverisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia.
Në 2020-2021, Lukashenko u përball me protesta masive antiqeveritare në shtëpi, fillimisht kundër vendimit të tij për të kërkuar një mandat të gjashtë presidencial pesë-vjeçar dhe më pas me dyshimet se zgjedhjet pasuese ishin të manipuluara.
Qeveritë perëndimore vendosën sanksione ekonomike duke e akuzuar atë për ‘sulme të vijueshmendaj të drejtave të njeriut, lirive themelore dhe ligjit ndërkombëtar’, sipas një deklarate të përbashkët të vitit 2021 nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian.
Lukashenko iu drejtua Rusisë për ndihmë. Putin u përgjigj me një premtim për të ofruar ndihmë ushtarake ‘nëse është e nevojshme’. Pas kësaj Lukashenko burgosi mijëra demonstrues dhe mbylli shtypin e pavarur dhe organizatat e të drejtave të njeriut.
Fatura politike për këtë mbështetje po vjen. Me kërkesë të Putinit, Lukashenko ka lejuar 11,000 trupa ruse, të vendosura tashmë në dy baza ushtarake bjelloruse, të zhvillojnë manovra të përbashkëta ushtarake me njësitë bjelloruse.
Ai gjithashtu ka bërë të pamundurën për të lavdëruar Putinin, të cilin e quajti ‘vëllai i tij më i madh’ dhe falënderoi Rusinë që ‘na ka zgjatur dorën’ duke i ofruar Bjellorusisë naftë dhe gaz me çmime të zbritura.
“Rusia mund t’ia dalë pa ne, po ne nuk mundemi pa Rusinë.” – tha ai.
Çfarë mund të kërkojë Putini përfundimisht nga Lukashenko dhe Bjellorusia? Të paktën një zonë organizimi për të pritur trupat që mund të sulmojnë Ukrainën, thonë analistët ushtarakë. Një pozicion fillestar potencial për një sulm ndaj Kievit do shte Bjellorusia lindore, më afër Kievit. Por zona është moçalore dhe nuk përmban objekte të përshtatshme ushtarake ku rusët mund të fushojnë. Ata do të duhej të ndërtonin një të tillë.
Dy zona të tjera mund të shërbejnë si platforma pushtimi, një në Bjellorusinë qendrore, jashtë rrezes së artilerisë ukrainase dhe një tjetër në kufirin me Poloninë. Përveç ofrimit të një vendi për pushtimin e Ukrainës, secili do krijonte gjithashtu një realitet të ri të padëshiruar për NATO-n: një front rus përballë Polonisë dhe shteteve baltike pranë Korridorit Suëalki.
“NATO-s do i duhet të mendojë fort dhe shpejt se si të sigurojë linjën e saj tokësore të komunikimit përmes korridorit në një skenar të tillë”, shkroi ISË.
Lukashenko përballet me një dilemë ekzistenciale gjeopolitike. A do vazhdojë të ekzistojë vendi i tij si shtet i pavarur pas përfundimit të luftës në Ukrainë?
“Përthithja e Bjellorusisë në Rusi duket e pashmangshme nëse Rusia arrin të pushtojë pjesë të mëdha të Ukrainës.” – parashikoi Samantha de Bandern, një gazetare franceze dhe bashkëpunëtore në Chatham House, një grup britanik i analizës politike.
Bjellorusia ka rënë në një ‘kurth aleance’ në të cilën mund të mos jetë në gjendje të kontrollojë të ardhmen e saj, pavarësisht nëse Rusia fiton apo humbet luftën, tha Anais Marin, një tjetër anëtare e Chatham House.
Ryhor Astapenia, i cili drejton një ekip analizash në Bjellorusi në Chatham House, paraqiti një seri skenarësh, shumica e të cilëve parashikojnë dëme për pavarësinë e Bjellorusisë:
“Rusia fiton në Ukrainë dhe Bjellorusia do gëlltitet nga një ‘vëlla i madh’ fitimtar;
Ukraina triumfon, Rusia tërhiqet nga përpjekjet për të rikthyer pamjen e ish-Bashkimit Sovjetik dhe Bjellorusia mund të përpiqet të korrigjojë marrëdhënie me botën e jashtme; ose
Një Rusi e mundur anekson me zemërim Bjellorusinë si një lloj çmimi ngushëllimi.”
“Kur dëgjojmë se Ukraina është në sferën e influencës të Putinit, që ai dëshiron të jetë kështu, Bjellorusia është gjithashtu; ai nuk mund ta lërë të shkojë”, tha Tatsiana Kulakevich, një shkencëtare politike në Universitetin e Floridës së Jugut.
“Dhe është një situatë shumë fatkeqe, sepse populli bjellorus nuk mund të bëjë asgjë.”
Lukashenko ka vënë publikisht veton vetëm për një aktivitet të mundshëm ushtarak rus në territorin Bjellorusi: transferimin dhe përdorimin e armëve bërthamore në vend. Në një intervistë në maj me Associated Press, ai tha se veprime të tilla ishin ‘të papranueshme’.
*Daniel Williams – Daniel Williams është një ish-korrespondent i huaj për The Washington Post, Los Angeles Times dhe Miami Herald dhe një ish-studiues për Human Rights Watch. Aktualisht ai ndodhet në Romë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Asiatimes