Fletoret që presidenti amerikan Joe Biden mbante gjatë kohës së tij si zëvendëspresident ishin ndër sendet e sekuestruara nga FBI-ja gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij javën e kaluar, si pjesë e një hetimi për keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara, tha një person i njohur me hetimin për NBC.
Pavarësisht se nuk u shënuan si të klasifikuara, fletoret u morën sepse ato përmbajnë shkrime në lidhje me punën zyrtare të Biden brenda administratës së Obamës, duke përfshirë hollësi të kontakteve diplomatike, raportoi media të shtunën.
Fletoret ishin një përzierje e të dhënave për tema personale dhe zyrtare, tha burimi, duke shtuar se faqet pa të dhëna të ndjeshme mund të konsiderohen gjithashtu pronë shtetërore sipas Aktit të Regjistrimeve Presidenciale, pasi ato lidhen me veprimtaritë e qeverisë.
Biden kishte një numër ‘të madh’ të këtyre fletoreve, tha personi, por nuk mund të jepte shifrën e saktë.
Kur iu drejtua për fletoret, një zëdhënës i avokatit personal të Biden, Bob Bauer, tha se ‘në përputhje me pikëpamjen tonë për kërkesat e bashkëpunimit tonë me Departamentin e Drejtësisë në këtë çështje, ne nuk do të komentojmë saktësinë e raporteve të kësaj natyre’.
Zotërimi i fletoreve nga koha e tij si zëvendëspresident ‘ngre pyetje nëse ai ndoqi siç duhet procedurat për ruajtjen e të dhënave presidenciale’, tha NBC.
Kontrolli 13-orësh i kryer nga FBI në shtëpinë e presidentit në Ëilmington, Delaëare ka çuar në zbulimin e gjashtë dokumenteve të tjera të shënuara si të klasifikuara, duke përfshirë disa që datojnë që nga ditët e tij si Senator.
Në fillim të këtij muaji u zbulua se disa grupe letrash qeveritare, disa të shënuara si ‘tepër sekrete’, nga dy mandatet e tij si zëvendëspresident midis 2009 dhe 2017 u gjetën në zyrën e tij në ‘Qendrën Penn Biden’ dhe në shtëpinë e tij në Delaëare, përfshirë në garazh, në nëntor dhe janar. Një këshilltar i posaçëm u caktua për të hetuar keqpërdorimin e dokumenteve nga presidenti 80-vjeçar.