Policia izraelite ka arrestuar 42 persona në lidhje me të shtënat vdekjeprurëse të së premtes në një sinagogë në Jerusalemin Lindor, ku të paktën shtatë persona u vranë dhe dhjetë u plagosën.
Policia izraelite e përshkroi sulmin në lagjen hebraike si një “incident terrorist”.
Policia tha se personi i armatosur në sulmin e së shtunës ishte një djalë 13-vjeçar.
Ata thanë se ai ishte “neutralizuar”, por nuk dhanë më shumë detaje.
Të shtënat në lagjen hebraike të Neve Ya’akov pasuan një sulm vdekjeprurës nga ushtria izraelite që ndodhi më 26 janar në Bregun Perëndimor. Bastisja në një kamp refugjatësh në Jenin u shndërrua në një shkëmbim zjarri, në të cilin u vranë të paktën nëntë palestinezë, ndërsa një i dhjetë u vra në përleshje në një lokacion tjetër.
Deri më tash, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në sinagogë më 27 janar, por një zëdhënës i lëvizjes islamike Hamas tha se incidentet ishin të lidhura.
Incidentet ndodhën pak ditë para vizitës së planifikuar të Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken në Izrael dhe në Bregun Perëndimor.
Përshkallëzimi i konfliktit izraelit-palestinez, i cili zgjatë me dekada, paraqet sprovë për qeverinë e re të ekstremit të djathtë, të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, e cila mori detyrën me premtimin për të mbajtur qëndrim të ashpër, mes tensioneve të rritura me palestinezët.