Vendosni fjalën kyçe....

BE-ja qëndron skeptike ndaj politikës joshëse që i ofron Kina


 

Kina po synon t’i përmirësojë marrëdhëniet me Perëndimin, e veçanërisht lidhjet e saj me Evropën, të cilat janë dëmtuar për shkak të mbështetjes që i ka dhënë Rusisë gjatë pushtimit të Ukrainës, sipas REL.

Por, ofensiva joshëse e saj është duke u përballur me skepticizëm në Bruksel, thonë zyrtarë të BE-së.

Ajo ka nisur në fund të vitit të kaluar, kur kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka udhëtuar në Pekin dhe, më pas, kur udhëheqësi kinez, Xi Jinping, ka ofruar një mesazh bashkëpunimi në samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G20, në Bali.

Që atëherë, diplomatët kinezë kanë intensifikuar punën e tyre, duke kontaktuar investitorë dhe qeveri. Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar një vizitë të mundshme në Bruksel të ish-ministrit të Jashtëm kinez, Wang Yi, i cili së voni është emëruar mbikëqyrës i çështjeve të jashtme të Byrosë Politike – organ qeverisës i Partisë Komuniste.

Zyrtarët kinezë kanë dhënë sinjale edhe për mosbesim ndaj Moskës, ndërsa, kohëve të fundit, kanë shprehur kritika të fshehta edhe për pushtimin rus të Ukrainës. Një zyrtar i lartë kinez i tha gazetës Financial Times në fillim të këtij muaji se presidenti rus, Vladimir Putin, është “i çmendur”.Ndryshimi i qasjes do ta ndikojë të ardhmen e një prej marrëdhënieve më të mëdha tregtare në botë, që mund të ketë pasoja të gjera për Evropën dhe Azinë.

Duke marrë parasysh se rreziku është i madh, zyrtarë të BE-së thonë se janë duke vëzhguar nga afër qasjen e Kinës.

“Unë nuk shoh ndonjë ndryshim revolucionar”, thotë për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i BE-së, i cili kërkon të mbetet anonim.

Qasjes së Kinës, sipas tij, i mungon thelbi dhe mund të jetë më shumë retorike.

“Unë mendoj se Kina duhet ta rehabilitojë veten së pari”, thotë një tjetër zyrtar i BE-së, duke komentuar iniciativat kineze në vitet e fundit, që kanë çuar në përkeqësimin e marrëdhënieve të saj me bllokun.

Kina dhe BE-ja janë grindur për shumë gjëra, të tilla si: pozicionimi ushtarak i Pekinit në Tajvan, spiunazhi ekonomik dhe abuzimet me të drejtat e ujgurëve dhe pakicave të tjera kryesisht myslimane në provincën kineze, Ksinjiang.

Në shkurt të vitit 2022, vetëm pak javë para se Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, presidenti kinez, Xi Jinping, dhe ai rus, Vladimir Putin, kanë shpallur partneritet “pa limite” mes vendeve të tyre.

Gjatë luftës, Pekini ka bërë përpjekje ta portretizojë veten si neutral, por ka vazhduar t’i japë mbështetje diplomatike Moskës. Po ashtu ka bërë përpjekje t’i japë shtytje tregtisë me partneren e tij, por duke respektuar sanksionet perëndimore kundër Rusisë.

Zyrtarët e BE-së thonë se nuk e shohin qasjen e tanishme të Pekinit si ndryshim të madh të politikës së jashtme, por si përpjekje për “normalizim”, pas disa viteve tensione dhe izolimit ndërkombëtar të Kinës dhe zyrtarëve të saj, për shkak të pandemisë.

 

“Ofensiva joshëse e Kinës tani mund të gjejë më pak terren pjellor në BE sesa në të kaluarën”, thotë për Radion Evropa e Lirë Francesca Ghiretti, analiste në institutin MERICS, me qendër në Berlin. “Por, pas kaq shumë vitesh kontakti të kufizuar, ka një oreks të fortë për të pasur shkëmbime dhe për t’u angazhuar me Kinën”, shton ajo.

Pekini duket se e ka kuptuar këtë fakt. Wang me turneun e tij në Evropë – i cili u raportua për herë të parë nga Politico – shpreson të përfitojë nga dëshira për t’u rikthyer në qetësi dhe për t’i joshur liderët evropianë me mundësitë ekonomike në një Kinë të sapohapur.

Retorikë e ngjashme është parë edhe nga zëvendëskryeministri kinez, Liu He, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, më 21 janar, ku ka thënë se Pekini jo vetëm që “duhet të hapet më shumë”, por gjithashtu duhet “të punojë më shumë” për t’i zgjeruar lidhjet tregtare.

Pekini po përpiqet të përafrohet edhe me Uashingtonin. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, pritet të udhëtojë në Kinë në fillim të shkurtit dhe Wang është takuar së voni në Zvicër me sekretaren amerikane të Thesarit, Janet Yellen, e cila po ashtu është ftuar ta vizitojë Kinën.

Por, me gjasë, karta më e fortë e Kinës ku mund të luajë, është marrëdhënia e saj komplekse me Rusinë.

Gjatë gjithë luftës, Pekini ka përdorur lidhjet e tij të ngrohta me Kremlinin për t’u paraqitur si një paqebërës potencial dhe si frenues i kërcënimeve të nënkuptuara të Putinit për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë.

Në një artikull për gazetën The Financial Times, disa zyrtarë të lartë kinezë – duke folur në mënyrë anonime – kanë bërë përpjekje të nënvizojnë se përfitimet nga marrëdhëniet me Rusinë po rivlerësohen në Pekin dhe se Kina nuk ka ditur paraprakisht për planet e Putinit për të pushtuar Ukrainën.

Të njëjtët zyrtarë kanë thënë se ata besojnë se Rusia nuk do të ketë sukses në arritjen e qëllimeve të saj në Ukrainë dhe se do të mbetet një “fuqi e vogël” në skenën globale, si rezultat i konfliktit të ashpër.

Një tjetër shenjë e ndryshimeve të mundshme është ulja në detyrë e Le Yuchengut. Deri në qershor, Le ka qenë zëvendësministër i Jashtëm, i cili është marrë edhe me çështjet ruse. Ka pasur thashetheme se ai mund të jetë pasardhës i mundshëm i Wangut si ministër i Jashtëm. Megjithatë, ai është emëruar në postin e nënkryetarit të Administratës së Radio-Televizionit Kombëtar.​

Gjetja e një normaleje të re

Andrew Small, bashkëpunëtor i lartë në Fondin Gjerman Marshall në Berlin dhe autor i librit “No Limits: The Inside Story Of China’s War With the West”, thotë se Pekini është i etur për të riparuar marrëdhëniet e tij me Evropën, por deri më tash, sipas tij, ai nuk ka ofruar shumë gjëra në këmbim.

“Ata shohin se si marrin merita kur bëjnë gjëra modeste, që nuk i dëmtojnë lidhjet e tyre dypalëshe, por i bindin disa në Perëndim se ka hapësirë për të manovruar me Moskën, edhe kur duket se nuk ka”, thotë Small për Radion Evropa e Lirë, duke iu referuar deklaratave të bëra nga Xi, gjatë takimit me Scholzin në nëntor të vitit 2022 – kur ai ka dënuar përdorimin e armëve bërthamore.

 

“Këto komente rreth armëve bërthamore kanë qenë politikë standarde e Kinës për vite me radhë”, thotë Small.

Ai shton se Pekini sot e gjen veten në një pozitë shumë më të dobët se një vit më parë, me më pak besim në perspektivën e tij ekonomike, me pyetje të brendshme për trajtimin e pandemisë COVID-19 dhe me dyshime nëse marrëdhëniet me Rusinë shpaguhen.

Megjithatë, BE-ja ka deklaruar në të kaluarën se ka një pikëpamje të shumanshme për Kinën, duke e parë atë si rivale, por nganjëherë edhe si partnere – gjë që e lë derën hapur për angazhime të ardhshme.

Kina, gjithashtu, shpreson se ofensiva e saj joshëse do të rezonojë në komunitetin e biznesit të Evropës, i cili është i magjepsur nga mundësitë ekonomike në tregun kinez.

Por, çmimi për Pekinin mund të jetë rishikimi i një traktati tashmë të ngrirë investimesh midis Kinës dhe BE-së, i cili është vendosur anash në vitin 2021, kur Pekini ka futur në listë të zezë një grup të ligjvënësve, ekspertëve dhe diplomatëve evropianë, për shkak të sanksionimit nga BE-ja të katër zyrtarëve kinezë, në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut në Ksinjiang.

Rigjallërimi i paktit tregtar do të kërkonte nga Kina që t’i hiqte sanksionet e saj. Por Pekini, deri më tani, nuk ka qenë i gatshëm ta bëjë këtë, nëse BE-ja nuk e ndjek shembullin. Për BE-në ky do të ishte një proces i vështirë dhe i gjatë, marrë parasysh se sanksionet e bllokut nuk mund të hiqen pa prova të përmirësimit të situatës së të drejtave të njeriut në Ksinjiang.