Vendosni fjalën kyçe....

Çekia zgjedh gjeneralin në pension si President


Gjenerali në pension, Petr Pavel, fitoi zgjedhjet presidenciale në Republikën Çeke, pas një fushate që shfaqi mbështetje të fortë për NATO-n dhe Bashkimin Evropian dhe mbështetje për ndihmën për Ukrainën.

Vlerat si e vërteta, dinjiteti, respekti dhe përulësia fituan“, u tha Pavel mbështetësve dhe gazetarëve.

“Jam i bindur se këto vlera ndahen nga shumica dërrmuese prej nesh, ia vlen të përpiqemi t’i bëjmë pjesë të jetës sonë dhe t’i kthejmë në Kalanë e Pragës dhe politikën tonë”.

Nga numërimi i 99 për qind të votave, rezulton se gjenerali Pavel ka fituar 58.12 për qind të votave, ndërsa kundërshtari, ish-kryeministri populist, tani lider i opozitës, Andrej Babish (68), ka fituar 41.87 për qind të votave, raporton REL.

Dalja në zgjedhje ishte afër 70 për qind nga 8.25 milionë votues të regjistruar.

Çekët votuan sot për të zgjedhur pasuesin e presidentit aktual, Milosh Zeman, mandati i dytë i të cilit përfundon në mars.

Qendrat e votimit ishin hapur të premten në orën 14:00 dhe u mbyllën sot në të njëjtën orë.

Në Republikën Çeke, roli i presidentit është ceremonial, mirëpo presidenti i jep mandat qeverisë dhe është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.