Vendosni fjalën kyçe....

Reagon Partia e Lirisë pas çmontimit të kamerave spiune: Krimi ka pasur nën kontroll policinë


Për aksionet e fundit të policisë ku janë çmontuar qindra kamera sigurie të vendosura në qarqe të ndryshme të vendit nga grupet kriminale, ka reaguar ditën e sotme edhe Partia e Lirisë.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, nënkryetarja e partisë së Lirisë, Floida Kërpaçi, tha se krimi ka pasur nën kontroll policinë e shtetit dhe të gjithë veprimtarinë në terren ndërkohë që këta të fundit ishin fokusuar tek ndëshkimi i qytetarëve të thjeshtë dhe jo goditja e grupeve kriminale.

“Fakti skandaloz i përgjimit  me kamera të territorit haptas nga krimi ka marrë dimensione tronditëse. Në dhjetëra bashki të vendit janë evidentuar qindra kamera të pautorizuara dhe në shërbim të grupeve kriminale. Realisht krimi ka pasur nën kontroll të plotë Policinë e Shtetit dhe veprimtarinë saj në terren. Për vite me radhë kjo veprimtari ka vazhduar e pa shqetësuar sepse policia  kishte prioritet të përgjonte,  monitoronte dhe dhunonte opozitën dhe qytetarët e thjeshtë dhe jo të vepronte ndaj grupeve kriminale”- u shpreh Kërpaçi.

Më tej ajo tha se policia ishte vënë nën vëzhgim nga grupet kriminale ndërkohë që duhet të ishte e kundërta dhe se qeveria ishte fokusuar më shumë tek mbajtja nën vëzhgim e qytetarëve duke përdorur patronazhistët.

“Policia që shikon edhe një fshatar që shet një trastë domate  e dy tufa majdanoz apo që nuk i shpëton një riparim çezme në një banesë qytetari, nuk paska parë qindra kamera anë e mbanë vendit që haptas mbështesnin veprimtarinë kriminale dhe trafiqet e çdo lloji. Qeveria që mbante me rroga patronazhistët dhe kishte merak të merrte vesh gjithçka mbi  qytetarët dhe përfaqësuesit e opozitës bënte sikur nuk e shikonte që grupet kriminale kishin në kontroll policinë në një kohë që duhet të ndodhte krejt e kundërta”- shtoi ndër të tjera nënkryetarja e PL-së.

Deri tani, në kuadër të operacionit ‘Fije’,  policia ka çmontuar 181 kamera në 5 qarqe, më konkretisht 59 në Shkodër, 47 në Durrës, 16 në Vlorë  39 në Korçë dhe së fundmi 20 në Fier. Kamerat ishin të instaluara në shtylla elektrike, në zona që konsiderohen si shumë të frekuentuara nga qytetarët. Të gjitha kamerat e çmontuara dyshohet të jenë të lidhura me aparate celulare dhe komandimi i tyre të bëhet përmes internetit, edhe nga jashtë shtetit, dyshohet në Gjermani.