Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria ukrainase pretendon zmbrapsjen e një sulmi rus në Donetsk


Ushtria e Ukrainës tha të dielën se forcat e saj zmbrapsën një sulm në zonën e Blahodatnes në pjesën lindore të rajonit të Donetskut, ndërsa grupi mercenar rus Wagner tha se kishte marrë kontrollin e fshatit.

“Njësitë e Forcave të Mbrojtjes të Ukrainës zmbrapsën sulmet e pushtuesve në zona të Blahodatnes në rajonin e Donetskut,” tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në raportin e përditshëm të mëngjesit, duke iu referuar luftimeve të së shtunës, përcjell VOA.

Grupi Wagner, i përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara si organizatë kriminale ndërkombëtare, tha në Telegram të shtunën se njësitë e tij kishin marrë kontrollin e Blahodatnes.

Me nxehjen e luftimeve në rajonin e Donetskut, ka qenë e paqartë se cila palë e ka pasur kontrollin, veçanërisht rreth qytetit Bakhmut ku javët e fundit janë zhvilluar disa nga luftimet më të rënda të luftës.

Grupi Wagner ka bërë edhe më herët pretendime të parakohshme për fitore në fushëbetejë.

Ukraina ka thënë se ofensiva ruse në Bakhmut nuk ka arritur kulmin, por situata përgjatë vijës së frontit ka qenë gjithnjë e më e vështirë.