Linja ajrore rajonale britanike ‘Flybe’ njoftoi të shtunën se ka ndaluar shitjet e biletave dhe ka anuluar të gjitha fluturimet, duke sinjalizuar një falimentim të mundshëm.
Sipas një njoftimi në faqen e saj të internetit, shoqëria ka hyrë në administrim, një formë mbrojtjeje nga kreditorët kur një shoqëri bëhet e paaftë.
“Flybe tani ka pushuar tregtimin dhe të gjitha fluturimet nga dhe në Britani të operuara nga Flybe janë anuluar dhe nuk do riplanifikohen…Nëse do fluturoni me Flybe sot ose në të ardhmen, ju lutemi mos shkoni në aeroport nëse nuk keni organizoi një fluturim alternativ me një linjë tjetër ajrore. Fatkeqësisht, Flybe nuk është në gjendje të organizojë fluturime alternative për pasagjerët”, thuhet në njoftim.
Me seli në Birmingham, Flybe kishte qenë linja ajrore më e madhe rajonale e Evropës përpara pandemisë, duke transportuar rreth 8 milionë pasagjerë në vit përmes 81 aeroporteve në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë. Ajo u fut për herë të parë në administrim në mars 2020 kur tregu i udhëtimeve u godit nga kufizimet pandemike.
Kompania rifilloi operimet në një shkallë më të vogël në prill të vitit të kaluar pasi biznesi dhe asetet e saj u blenë nga Thyme Opco, një njësi ekonomike e lidhur me fondin mbrojtës amerikan Cyrus Capital.
Megjithatë, ajo nuk arriti të rindërtonte biznesin e saj mes efekteve të vazhdueshme të pandemisë në industrinë e linjave ajrore dhe konkurrencës nga operatorë me kosto të ulët.
Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar ka emëruar David Pike dhe Mike Pink nga firma këshilluese financiare Interpath si administratorë të përbashkët të Flybe. Pike i tha Reuters se kompania do kërkonte investitorë të rinj për ta shpëtuar atë nga shkatërrimi i plotë financiar.
Një zëdhënës i Interpath tha se Flybe do mbajë vetëm 45 nga 321 punonjësit e saj për momentin. Ai vuri në dukje se rreth 75,000 klientë të Flybe që kishin rezervime në të ardhmen do preken nga anulimet e fluturimeve.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Mbretërisë së Bashkuar (CAA) njoftoi se pasagjerëve të Flybe që nuk mund të përdornin më biletat e tyre do t’u ofroheshin zbritje në fluturimet me linjat e tjera ajrore.