Vendosni fjalën kyçe....

Norvegjia zbulon një sasi të madhe mineralesh të rralla nën det


Një ekip kërkimor norvegjez ka zbuluar rezerva të mëdha metalesh dhe mineralesh nën shtratin e detit të shelfit të gjerë kontinental të vendit, tha në një deklaratë Drejtoria Norvegjeze e Naftës (NPD).

Zbulimi i madh thuhet se i ofron një prej eksportuesve më të mëdhenj të naftës dhe gazit në botë, mundësinë e nxjerrjes së sasive ‘të konsiderueshme’ të mineraleve, duke filluar nga bakri deri te metalet e rralla të tokës.

“Nga metalet e gjetura në shtratin e detit në zonën e studimit, magnezi, niobiumi, kobalti dhe mineralet e rralla të tokës gjenden në listën e mineraleve të rralla kritike të Komisionit Evropian.” – tha drejtori i teknologjisë dhe analizës në NPD, Kjersti Dahle.

Sipas vlerësimeve paraprake, sulfidet polimetalike në zonat e largëta të Detit Norvegjez dhe Detit të Groenlandës përmbajnë 38 milionë ton bakër, gati dyfishi i vëllimit të nxjerrë globalisht çdo vit, 45 milionë ton zink, 2,317 ton ar dhe 85,000 ton argjend.

Korja e manganit e rritur në shkëmbinj për miliona vjet vlerësohet të fshehë rreth 24 milion ton magnez, 3,1 milion ton kobalt dhe 1,7 milion ton cerium, një metal tejet i rrallë i tokës. Ato vlerësohen gjithashtu se përmbajnë 8.4 milion ton titan, 1.9 milion ton vanadium, si dhe metale të tjera të rralla të tokës, si neodymium, ittrium dhe dysprosium.

“Mineralet e rralla të kushtueshme si neodymium dhe dysprosium janë jashtëzakonisht të rëndësishme për magnetët në turbinat e erës dhe motorët në automjetet elektrike.” – tha Dahle.

Norvegjia po shqyrton nëse do të hapë zonat e saj në det të hapur për minierat në det të thellë, një proces që kërkon miratimin e parlamentit dhe ka shkaktuar shqetësime mjedisore.

Aktivistët mjedisorë i kanë bërë thirrje Oslos që të shtyjë eksplorimin e mineraleve në shtratin e detit derisa të kryhen më shumë studime për të kuptuar organizmat që jetojnë në shtratin e detit dhe ndikimin e minierave në to.