Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria shtyn afatin e koncesionit të pullave fiskale; Bizneset do vijojnë të paguajnë tarifa 10-fish mbi BE-në


Në një kohë kur nga bizneset e mallrave të akcizës pritej përfundimi i kontratës së koncesionit të pullave fiskale, qeveria ka miratuar projektligjin për shtyrjen e saj.

Projektligji i propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, i miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, sipas burimeve të Monitor në qeveri zgjat afatin e zbatimit të kontratës.

“Në mbështetje neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 40, pika 1, të ligjit nr.61/2012, “Pёr akcizat nё Republikёn e Shqipёrisё”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave vendosi:

Miratimin e kontratës shtesё pёr ndryshimin e kontratёs sё koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisё, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “SICPA Security Solutions” SA e “SICPA Security Solutions Albania”, sh.p.k., për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave, miratuar me ligjin nr.10381, datë 24.2.201, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji. Neni 2 Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren zyrtare”, citohet në projektligj.

Ndryshimet e miratuara në qeveri pritet të ndezin debate të forta te grupet e interesit, të cilat prej një kohë të gjatë kanë ngritur shqetësimin për kosto të rënduara nga tarifa 10 herë më e lartë e pullave fiskale që ata paguajnë krahasuar me vendet e BE.

Bizneset prodhuese dhe importuese të mallrave të akcizës u goditën në kosto nga 1 janari edhe me rritjen e akcizës dhe lëndëve të para.

Kostot nga pagesat e tarifave të pullave fiskale për një nga bizneset më të mëdha të mallrave të akcizës arrijnë deri në 2 mln euro në vit.

Tashmë u bënë 10 vite nga miratimi i ligjit nr. 10 381, datë 24.2.2011 “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues dhe shoqërisë “Sicpa Security Solutions” SA e “Sicpa Security Solutions” Albania shpk, për vendosjen e pullave fiskale në mallrat që i nënshtrohen regjimit të akcizës, si cigare, birrë, verëra dhe pije të tjera alkoolike.

Llogaritur nga xhiroja vjetore e kompanisë SICPA Security Solutions Albania deri në 2020, rreth 60 mln euro më shumë në raport me vendet e rajonit dhe të Europës në 9 vite kanë paguar bizneset shqiptare të tregtimit të mallrave të akcizës nga tarifa e lartë e koncesionit të pullave fiskale.

Në Europë çmimi mesatar i pullave fiskale është 3 USD për 1,000 copë, në Kosovë 2,2 USD ndërsa në Shqipëri është 22,4 USD. Pavarësisht kostove të larta të paguara nga sipërmarrja, ata pohojnë se efektet e luftës së informalitetit dhe tregtisë së paligjshme nuk janë zgjidhur.

Çfarë vendosi Ministria e Financave 1 vit më parë

Një vit më parë nisur nga shqetësimet e përsëritshme të bizneseve Ministria e Financave dhe Avokatura e Shtetit ngriti një grup pune për të zgjidhur ngërçin e krijuar për përfundimin e kontratës.

Drejtori i koncesioneve në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, Edmond Ahmeti nënvizoi më herët për Monitor se pas konsultimeve me Avokaturën e Shtetit, grupi i punës i strukturave të ministrisë që mori në shqyrtim kontratën koncensionare arriti në përfundimin se data e nisjes të kontratës është e përcaktuar në procesverbalin e përbashkët e mbajtur në atë kohë ku autoriteti konfirmon, si datë efektive 6 shkurt 2013.

“Për sa më sipër në analizën e vlerësimit ligjor të kontratës dhe të dokumentacionit të mbajtur në lidhje me zbatimin dhe ecurinë e saj dhe rekomandimeve të Avokaturës të Shtetit konkludojmë se data e përfundimit të afatit është 6 shkurt 2023. Në konsideratë të kësaj date në zbatim të nenit 51 të kontratës dhe aneksit 22 është përcaktuar se periudha e daljes fillon 6 muaj më përpara. Atëherë data e përcaktuar do të jetë 6.08.2022.

Shoqëria koncesionare me përcaktimin e datës efektive me shkresë nga Autoriteti Kontraktues (AK) nuk mund të ketë asnjë pretendim tjetër në të ardhmen apo kërkesë për zbatim të ndonjë penaliteti në lidhje me kontratën”, pohoi z. Ahmeti duke cituar komunikimin zyrtar mes Ministrisë të Financave dhe kompanisë koncesionare.

Në përmbushje të këtij afati të kontratës (për zbatimin e procedurave të mbylljes 6 muaj para se të përfundojë kontrata) Ministria e Financave nuk ka inicioi asnjë proces.

Ndërsa për kompaninë koncensionare SICPA Security Solutions Albania data efektive e kontratës konsiston nga nisja e zbatimit të komponentit të plotësuar që është ai i pullave fiskale te barnat.

Me fuqizimin e këtij elementi afati i zbatimit vijon edhe për 10 vite të tjera. Kompania prej vitesh mban të pezulluar investimin e ngritur prej saj për vënien në punë të elementit të kontratës për vendosjen e pullave fiskale te barnat.

Por zgjatja e afatit të kontratës përtej afatit 10-vjeçar për shkak të mosrealizimit të një komponenti u cilësua absurditet juridik, sipas drejtorit të koncesioneve në MFE, Edmond Ahmeti, pasi në nenin 4 të kontratës parashikohej njoftimi i zgjidhjes të saj në rast mospërmbushje të një kushti paraprak.

“Këtë të drejtë nuk e ka realizuar asnjëra nga palët në atë kohë. Pra nuk ka hequr dorë nga kontrata ose të ketë njoftuar palën tjetër për zgjidhje të kontratës për mospërmbushje të një kushti. Si e tillë duke qenë se tarifa koncesionare kishte nisur të paguhej që në vitin 2012, në vijim të diskutimeve në mbledhjet e mbajtura nga bordi i zbatimit të kontratës (përfaqësuesit e ministrisë dhe të kompanisë koncesionare) kanë rënë dakord që do të konsiderohej 6 shkurti 2013 datë e fillimit të kontratës që do të thotë data e përmbushjes të kushteve paraprake. Kjo ishte pjesa që nuk ishte përcaktuar zyrtarisht për hyrjen në fuqi të kontratës”./ Dorina Azo

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor