Kreu i qeverisë ka paralajmëruar një tjetër rritje të pagesë minimale, vendim i secilës do te diskutohet së shpejti në qeveri.
“Nuk e kam ndalur komunikimin me skuadrën time, sidomos me financat për politikat e reja mbështetëse. Duke nisur nga pagat e reja minimale te pagat për kategori të veçanta burimesh njerëzore, mbështetja me strehim e mjekëve, ushtarakëve, policëve që kanë një familje të re. Natyrisht paga tjetër për pensionistët e domosdoshme në pranverë nga rindarja e taksës së jashtëzakonshme mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë.
Na vjen mirë që pakoja e madhe ka lehtësuar ndjeshëm 1 milionë përfituesit e saj dhe vihet re edhe në rritje të kënaqshme të konsumit. Pa diskutim që duhet akoma, sidomos me ata që punojnë me pagë minimale në sektorin privat sidomos ata në prodhim që duhet të paguhen më shumë dhe sa më parë. Së shpejti do t’i diskutojmë dhe vendosim në qeveri e patjetër t’i bëjmë me dije këto politika që e thellojnë më tej profilin e kësaj qeverie të shumicës”, tha Rama.
Sipas INSTAT deri në tremujorin e tretë 2022, 16% e të punësuarve në vend paguhen deri në pagë minimale, dhe 27% të tjerë kanë pagë deri në 40 mijë lekë.
Aktualisht paga minimale në vend është në nivelin e 34 mijë lekëve.
Më herët, kur në Kuvend diskutohej buxheti 2023, Rama ka deklaruar se paga minimale do të arrijë në 36 mijë lekë në 6 mujorin e parë të këtij viti, ndërsa deri në fund të viti do të shkojë në 38 mijë lekë.
“Do të rrisim edhe një herë tjetër nivelin e pagës minimale, që e kemi rritur dy herë këtë vit. Do e çojmë në 36 mijë lekë të reja, me synimin që ta rrisim edhe një herë në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm, do e çojmë në 38 mijë lekë të reja”, deklaroi asokohe kryeministri.
Paga minimale u rrit për herë të fundit më shtator të vitit të kaluar.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor