Vendosni fjalën kyçe....

Si krijohen detyrimet e prapambetura, thesari i shleu 855 mijë euro për zjarret e fikura më 2017


Me datë 25 janar 2022 dega e thesarit në Ministrinë e Financave i pagoi 100 milionë lekë (855 mijë euro) Shoqërisë Aquila dhe Victory Invest shpk si detyrime të prapambetura të krijuara qysh në vitin 2017, që në total janë më shumë se 168 milionë lekë ( 1,4 milionë euro).

Kjo ishte pagesa e katërt më e madhja për vlerën e lartë në pagesat buxhetore të 25 janarit.

Sipas të dhënave zyrtare detyrimet ishin krijuar nga rreth 50 fatura tatimore që nuk ishin paguar në kohë nga Emergjencat Civile për fikjen e zjarreve të rëna gjatë atij viti.

Shoqëria “Aquila dhe Victory Invest shpk” ishte kontraktuar nga emergjencat civile në atë kohë për fikjen e zjarreve. Për shkak të ristrukturimit, që pësoi kjo strukturë duke u shndërruar në Agjenci Kombëtare të Mbrojtjes Civile, pagesat nuk u kryen me arsyetimin se nuk kishte fonde.

Të gjendura në këtë situatë kompanitë i janë drejtuar gjykatës. Procesi ka kaluar një sagë gati dy vjeçare duke përfshirë edhe Gjykatën e Lartë që i ka dhënë të drejtë kompanive.

Gjykatat i autorizojnë Emergjencat Civile të paguajnë 50 faturat tatimore bashke me penalitetet përkatëse. Dje buxheti i shtetit shleu faturat ndaj kompanive të cilat kanë vlerën e 100 milionë lekëve 855 mijë euro.

Por duket se Ministria e Financave ka paguar vetëm 60 për qind të borxhit ndaj kompanive, pasi detyrimi që rrjedh nga 50 faturat e pashlyera është mbi 168 milionë lekë ose 1,4 milionë euro.

Mosshlyerja në kohë e faturave për mallra dhe shërbime nga entet publike ndaj operatorëve privat po kthehet në një problematikë të mprehtë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave në nëntor të vitit 2022 detyrimet e prapambetura arritën 19,8 miliardë lekë (163 milionë euro). Në raport me tetorin 2022 stoku i detyrimeve u zgjerua me 10 për qind, dhe në raport me nëntorin 2021 janë zgjeruar me 20%.

https://www.monitor.al/detyrimet-e-prapambetura-arrijne-163-mln-euro-ne-nentor-2022-rritje-vjetore-me-20/

Detyrimet në sektorin e infrastrukturës janë rritur gjithashtu. Në fund të nëntorit 2022 ato arritën 8,9 miliardë lekë, me rritje mujore 5 për qind dhe në krahasim me vitin e kaluar pësuan 43 për qind rritje.

Ky borxh përfaqëson detyrimet e papaguara në kohë të Ministrisë së infrastrukturës ndaj kompanive private të kontraktura për pune dhe shërbime. Në krahasim me një vit më parë ky borxh u dyfishua edhe pse qeveria ka arritur të harxhoje deri në nëntor vetëm 50 për qind e programit të investimeve të miratuar në fillim të vitit.

Rritje të shpejtë kanë pësuar edhe detyrimet në zëra të tjerë të tillë si, ato të pushtetit lokal, vendimet e gjykatave etj. Në nëntor 2022 detyrimet në këtë zë arritën në 10 miliardë lekë me një rritje 10 për qind në krahasim me tetorin 2022 dhe 8.7%./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor