Vendosni fjalën kyçe....

Votimi elektronik jo vetëm në Vorë, po shqyrtohen Elbasani dhe Kamza, qeveria i kalon KQZ-së 2 miliard lekë


 

Një fond prej rreth 2.5 miliard lekësh të reja i ka kaluar përmes një vendimi Qeverie Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ku ‘pjesën e luanit’ e zë përgatitjet për votimin elektronik. Nuk do jetë vetëm Vora zonë e votimit elektronik për garën elektorale të 14 majit. Në fletoren zyrtare shihet i zbardhur vendimi i qeverisë, me kërkesë të Ministrisë së Financave për alokimin e një fondit prej 1.9 mld lekësh për financimin e votimit elektronik sipas kërkesës së bërë nga KQZ dhe 600 milionë për shpenzime të tjera.

Tashmë KQZ do të shqyrtojë se cilat bashki, veç Vorës që është aktualisht do të bëhen pjesë e votimit elektronik, ndërkohë që Elbasani dhe Kamza po shqyrtohen. Ilirjan Celibashi, gjatë një deklarate për mediat, pak ditë më parë tha se kërkohet të caktohet një bashki e madhe për të parë dhe se si mund të shtrihet më mirë ky proces dhe në bashkitë me numër të madh votuesish.

“Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, për organizimin e zgjedhjeve për organet e vetëqeverisjes vendore, të datës 14 maj 2023, i shtohet fondi prej: a) 1 993 610 933 (një miliard e nëntëqind e nëntëdhjetë e tre milionë e gjashtëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e tre) lekësh, në zërin “Shpenzime korrente”, të programit buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale”; b) 606 389 067 (gjashtëqind e gjashtë milionë e treqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëdhjetë e shtatë) lekësh, në zërin “Shpenzime kapitale”, të programit buxhetor 01620 “Zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale””, thuhet në VKM, e cila është botuar në fletoren zyrtare, ndërkohë që efekti financiar do të përballohet nga  fondi rezervë i buxhetit të shtetit për përballimin e kostos së zgjedhjeve me shifrën 1. 8 miliard lekësh nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, ndërsa pjesa tjetër nga nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme.

Më shumë se dy javë më parë ishte kryekomisioneri Celibashi i cili tha se votimi elektronik deri më tani ishte parashikuar të realizohet vetëm në bashkinë e Vorës, edhe pse pritshmëritë e tij Celibashi ishin për tu shtrirë në 6 bashki.

“Koha e pamjaftueshme. Shpresojmë të shtojmë të paktën 1 apo 2 bashki, një të madhe me 400 njësi votimi”, pati thënë kreu i KQZ.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja.com