Ambasadori amerian në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se Uashingtoni e ka bërë të qartë se ‘nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës’ ose që ‘kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik’ të saj.
“Ne kundërshtojmë rreptësisht krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë.” – tha Hovenier.
Ai i bëri komentet pas një diskutimi që organizoi të martën Ambasada amerikane në Prishtinë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, shkruan Lajmi.
Marrëveshja për formimin e këtij asociacioni është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.
Në Prishtinë, zyrtarët thonë se nuk mund të lejojnë formimin e një asociacioni njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa në Beograd insistojnë në themelimin e tij.
Hovenier tha se SHBA-ja pret që ‘Kosova t’i përmbushë obligimet e saj’.
“Ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që ta ofrojë vizionin e saj për Asociacionin, që beson se mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, multietnik, demokratik, dhe siguron të drejtat e pakicave në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës.” – tha Hovenier.