Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i Partisë së Lirisë: Skema e qeverisë për blegtorinë antikombëtare, përjashton nga ndihma mbi 70% të fermave


Partia e Lirisë ka denoncuar politikat e qeverisë Rama lidhur me bujqësinë e blegtorinë në vend.

Në një deklaratë për mediat, anëtari i kryesisë Panariti tha se blegtoria në vend nuk po mbështetet nga qeveria dhe se skema e mbështetjes së qeverisë përjashton në mënyrë diskriminuese mbi 70% të fermave e blegtorëve të lopëve.

Panariti theksoi se politikat e qeverisë kanë çuar në përgjysminin e krerëve nga 600 mijë disa vite më parë në 300 mijë të tilla.

“Rrokullisja e blegtorisë nga një skemë absurde e pagesave, e cila përjashton të vegjëlit dhe të mesmit. Kryefjala e pagesave për bujqësinë këtë vit, duhet të ishte blegtoria. Duhet të ishin pagesat e drejtpërdrejta për krerë. Duhet të ishin pagesat për çdo litër  qumësht të prodhuar. Sepse lopët të imtat po shkojnë drejt shfarosjes. Por asnjëra dhe as tjetra nuk po ndodh! Ne sot kemi rreth 300 mijë krerë gjedhë nga 600 mijë disa vite më parë. Sepse blegtoria nuk mbështetet, nuk paguhet. Kjo, pasi skema e mbështetjes së blegtorisë, përjashton me një prag absurd dhe diskriminues financimi mbi 70% të fermave dhe blegtorëve tanë të lopëve. Të cilat mbarështojnë nga 3 deri ne 10 lopë qumështi. Të cilat ushqejnë dhe mbajnë veten e familjet e tyre dhe furnizojnë baxhot, tregjet dhe bujtinat përreth. Që mbajnë të populluar fshatin dhe vendin.” – tha Panariti.

Ai shtoi më tej se skema e qeverisë përveç blegtorëve të lopëve përjashton nga ndihma edhe 80% të fermave të deleve e dhive duke e cilësuar atë si skemë antikombëtare duke i bërë thirrje asaj që të pesëfishojë fondet për blegtorinë në mënyrë që Shqipëria t’i afrohet mesatares së rajonit.

“Kjo skemë përjashton nga pagesat  80 përqind të fermave të deleve dhe të dhive të cilat mbarështojnë mesatarisht 40 dele dhi. Sepse pragu diskriminues prej 100 krerë i pagesave, i lë ata pa asnjë qindarkë pagese. Këta që janë në fakt motori dhe shtylla e blegtorisë shqiptare nuk paguhen dhe janë të përjashtuar dhe të diskriminuar nga qeveria. Kështu që skema e mbështetjes së blegtorisë, e cilësuar si kombëtare, në fakt është antikombëtare. Sepse nuk je kombëtar kur lë jashtë mbështetjes dhe përkrahjes 70% të blegtorisë së vendit. Rishiheni dhe ktheheni përmbys këtë skemë përjashtuese, dikriminuese. Hiqjani asaj dyshemetë dhe tavanet absurde dhe hapuni rrugën e mbështetjes dhe të përfitimit për mëse 70 përqind të fermave blegtorale të cilat tani janë të përjashtuara nga subvencioni. Por për këtë duhet të pesëfishoni të paktën fondet për blegtorinë për t’ju afruar mesatares së rajonit.” – mbylli Panariti.