Vendosni fjalën kyçe....

Meta vlerëson qeverinë e Kosovës për përmirësimin e saj me 20 vende në indeksin e antikorrupsionit


Mbi një postim të Kryeministrit Kosovar Albin Kurtit i cili flet mbi suksesin në luftën e korrupsionit si kërkesë kryesore edhe prioritet të qeverisë, ka reaguar edhe Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili ka vlerësuar arritjet e Kosovës në dy vite qeverisje, duke thënë se ka arritur përmirësimi me 20 vende në indeksin e antikorrupsionit.

 “Zgjedhjet e ndershme, mirëqeverisja, transparenca dhe Llogaridhënia japin rezultate spektakolare vetëm në dy vjet, siç është edhe përmirësimi me 20 vende i Kosovës në indeksin e antikorrupsionit nga Transparency International!Urime Qeverisë së  Kosovës, institucioneve dhe popullit të saj”, shkruan Meta.

Postimi i Albin Kurtit:

Luftimi i korrupsionit ishte ndër kërkesat kryesore të qytetarëve dhe prioriteti yni.

Për gati një dekadë Kosova ishte e ngujuar mes pozitave 105/104 nga viti 2012 deri në vitin 2020.

Për vetëm dy vite të qeverisjes sonë jemi përmirësuar për 20 vende, nga vendi 104 sa ishim në 2020 në vendin 84 në vitin 2022.

Nëse këtë progres do ta përkthenim në shpejtësinë e lëvizjes, për 8 vite Kosova ishte duke lëvizur në shpejtësinë e parë kurse me qeverinë tonë në dy vitet e fundit jemi në shpejtësinë e 20.

Ky është potenciali që kemi si shtet e si shoqëri.

Kjo është shpejtësia me të cilën mund ecim e duhet të ecim drejt së ardhmes kur qeverisim pastër, me dije e me integritet.

E unë jam i bindur, që populli ynë e shteti ynë ka potencial më shumë se kaq.

Ky potencial ishte mohuar nga elitat politike të korruptuara që duke e pasuruar veten na e vjedhnin të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë.

Ne do të vazhdojmë të qeverisim mirë e ndershëm. Do të vazhdojmë të realizojmë pritjet e qytetarëve e të kryejmë detyrat tona.

Bashkë do të avancojmë demokracinë, rrisim mirëqenien, përmirësojmë imazhin dhe fuqizojmë Republikën tonë.