E nisur gjatë pandemisë së koronavirusit në vitin 2020, epidemia e shkurtimit të vendeve të punës është rikthyer sërish në skenë.
Ndërsa në vitin 2020 e në deri në mesin e vitit 2022 kompanitë që shkurtuan më së shumti vende pune ishin ato të fluturimeve të pasuara nga ato të shërbimit, së fundmi në këtë listë janë emra të mëdhenjë të teknologjisë e banka.
Teksa masat lidhur me pandeminë nisën të lirohen në mbarë globin, pati një rimëkëmbje të ekonomisë në shumë sektorë, sidomos në atë të turizmit e ato të lidhur me të, megjithatë disa nga kompanitë më të mëdha në botë kanë njoftuar muajt e fundit se do shkurtojnë dhjetëra mijëra vende pune.
Mes tyre janë kompani gjigante si si Google, Metaverse, Twitter, Microsoft, bankat Goldman & Sachs e Credit Suisse, Amazon, Philips, McDonald’s e deri te Posta Mbretërore në Britani.
Sipas kompanive vendimi vjen mes një pasigurie të rritjes ekonomike në vijim, rritjes së inflacionit e çmimeve në pjesën dërrmuese të botës, rritjes së çmimit të energjisë, karburantit e gazit pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës e mes bllokimeve të herëpashershme në Kinë lidhur me pandeminë Covid.
Google njoftoi para pak kohësh shkurtimin e 12 mijë vendeve të punës, ose rreth 6% të fuqisë punëtore, duke u bërë kompania më e fundit e teknologjisë që shkurton punonjësit, mes vështirësish financiare. Drejtori ekzekutiv i firmës Google, Sundar Pichai informoi personelin për shkurtimet nëpërmjet një email-i që u postua dhe në blogun e lajmeve të kompanisë.
Metaverse
Meta Platforms, pronari i rrjeteve të mediave sociale Facebook dhe Instagram, konfirmoi pak kohë më parë se më shumë se 11,000 punonjës të saj do pushohen nga puna për shkak të një rënieje të mprehtë të të ardhurave të kompanisë. Në një deklaratë, themeluesi dhe CEO Mark Zuckerberg tha se këto janë ‘disa nga ndryshimet më të vështira’ në historinë e gjigantit të teknologjisë dhe shtoi se i vjen ‘veçanërisht keq për ata që janë prekur’.
Amazon
Spastrimi i vendeve të punës duke përfshirë firmat e teknologjisë amerikane është përshkallëzuar pasi Amazon zgjeroi planet e shkurtimit të stafit për të prekur më shumë se 18,000 punëtorë dhe prodhuesi i softuerëve Salesforce tha se do të largonte 8,000 punonjës. Reduktimet e Amazon janë më të mëdhatë nga një firmë e madhe teknologjike dhe grupi më i madh i pushimeve nga puna në historinë e kompanisë.
Twitter pushoi disa javë më parë mijëra punonjës në departamente në të gjithë kompaninë, në një vendim drastic të uljes së kostove që mund të prishë mënyrën se si funksionon një nga platformat më me ndikim në botë një javë pasi u ble nga miliarderi Elon Musk.
Goldman Sachs
Goldman Sachs Group (GS.N) ka nisur shkurtimin e mijëra vendeve të punës në të gjithë kompaninë, teksa përgatitet për një mjedis të vështirë ekonomik në vitin e ardhshëm. Shkurtimet e vendeve të punës pritet të jenë pak më shumë se 3 mijë tha një nga burimet, por numri përfundimtar ende nuk është përcaktuar.
Philips
Prodhuesi holandez i pajisjeve elektronike të konsumit dhe pajisjeve mjekësore Philips tha të hënën e 30 janarit 2023 se do shkurtojë 6,000 vende pune në mbarë botën gjatë dy viteve të ardhshme pasi zbuloi një humbje neto prej 1.6 miliardë eurosh në vitin 2022, nga një fitim neto prej 3.3 miliardë eurosh një vit më parë. Humbjet e vendeve të punës vijnë teksa në tetor të vitit të shkuar kompania njoftoi për shkurtimin e 4000 vendeve të punës. Shefi Roy Jakobs tha se viti 2022 ishte ‘një vit shumë i vështirë për Philips dhe ne po ndërmarrim veprime të vendosura për të përmirësuar gjendjen e për të rritur bilancin me shpejtësi’, shkruan AP.
Microsoft
Microsoft Corp (MSFT.O) planifikon të shkurtojë mijëra vende pune me disa role që pritet të eliminohen në divizionet e burimeve njerëzore dhe inxhinierisë, sipas raporteve të mediave. Pushimet e pritshme do jenë më të fundit në sektorin e teknologjisë amerikane, ku kompanitë duke përfshirë Amazon.com Inc (AMZN.O) dhe Meta Platforms Inc (META.O) kanë njoftuar shkurtime vendesh pune në përgjigje të ngadalësimit të kërkesës dhe një përkeqësimi të perspektivës ekonomike globale. Media britanike Sky Neës raportoi, duke cituar burime, se Microsoft planifikon të shkurtojë rreth 5% të fuqisë së tij punëtore, ose rreth 11,000 role.
McDonald’s
McDonald’s planifikon të shkurtojë vende pune nga stafi këtë vit mes riorganizimit, raportuan disa media të shtunën, duke cituar një letër drejtuar punonjësve nga shefi Chris Kempczinski. Sipas memorandumit, zinxhiri i ushqimit të shpejtë në SHBA planifikon të bëhet edhe më i shpejtë, më inovativ e efikas, dhe për këtë arsye do heqë përparësitë e do ndalojë disa projekte.
Credit Suisse
Gjiganti bankar zviceran Credit Suisse njoftoi pak javë më parëv planet për të shkurtuar 9,000 vende pune dhe për të shitur njësinë e saj të marrëveshjeve. Njoftimi vjen pas një sërë skandalesh dhe miliarda frangash humbje. Sipas bankës, pritet të shkurtohen 2,700 vende pune në tremujorin e fundit të vitit 2022 ndërsa do shkurtohen 9,000 vende pune deri në fund të 2025. Kjo është rreth 17% e fuqisë punëtore të kompanisë prej 52,000 punonjësish.
Posta Britanike
Posta Mbretërore e Britanisë njoftoi në dhjetor 2022 se mund të shkurtojë deri në 6,000 vende pune deri në fund të gushtit 2023, ndërsa vazhdon përplasjet me sindikatat. Në një deklaratë, grupi mëmë i ‘Royal Mail International Distribution Services’ njoftoi se pret një humbje prej 350 milionë stërlinash (395 milionë dollarë) këtë vit, për shkak të një numri faktorësh që përfshijnë një seri grevash që po ndodhin e pritet të ndodhin.
PayPal
Kompania amerikane shumëkombëshe e teknologjisë financiare PayPal ka njoftuar një valë pushimesh nga puna që do ndikojë rreth 2000 punonjës, duke iu bashkuar një mori firmash teknologjike që njoftojnë shkurtime të vendeve të punës me qëllim uljen e kostove. Vendimi për të shkurtuar rreth 7% të fuqisë punëtore të saj globale do ndihmojë në adresimin e ‘mjedisit sfidues makroekonomik’, shkroi presidenti dhe shefi i kompanisë Dan Schulman në mesazhin e tij drejtuar punonjësve të publikuar të martën.