Vendosni fjalën kyçe....

‘Fijet’/ Çmontohen 65 kamera të tjera në Tiranë, nën hetim 7 persona, mes tyre Endrit Dokle


Pas heqjes dje të 155 kamerave të paligjshme në Tiranë, operacioni në kryeqytet ka vijuar edhe sot.

Paralelisht me aksionin në Elbasan, në Tiranë janë çmontuar sot 65 kamera të vendosura në rrugë e mjedise të ndryshme publike ndërsa nën hetim janë 7 persona mes të cilëve Endrit Dokle, Julian Malutaj, Aurel Penci dhe Ismet Kumarakaj.

Nën hetim janë vënë shtatë persona ndërsa rrugët ku janë çmontuar kamerat janë ajo e ‘Vilave’, ‘Azem Hajdari’, ‘Azem Galica’, ‘Europa’, ‘Sabri Preveza’, ‘Sarina’, ‘Staf Melani’ e ‘Ali Kelmendi’.

Në Tiranë janë hequr dje e sot rreth 220 kamera të paligjshme ndërsa mbi 20 persona janë vënë nën hetim.

22 nga kamerat e hequra në Tiranë u gjetën në shtëpitë e Emiljano Shullazit, Pajtim Serjanit e Elidon Kotorrit ndërsa nën hetim është edhe Gjergj Cukali e emra të tjerë të botës së krimit.

Që prej nisjes së operacionit në Shkodër më 25 janar, i pari i këtij lloji, në mbarë vendin janë çmontuar mbi 400 kamera të paligjshme ndërsa rreth 70 persona janë vënë nën hetim.

Kamerat dyshohet se janë vënë nga grupe e persona me rekorde kriminale për të vëzhguar lëvizjet e policisë apo grupeve rivale. Një pjesë e tyre funksionojnë pa kabëll me wifi e komandohen nga celularët. Ndërkohë serverat e tyre që dyshohet se janë jashtë vendit nuk janë sekuestruar ende.