Sot hyn në fuqi harta e re gjyqësore që parashikon mbylljen e Gjykatave të Apelit në mbarë vendin dhe ekzistencën e vetëm një të tille me seli në Tiranë. Ndërkohë 13 Gjykatat e Shkallës së Parë do mbyllen më 1 maj.
Vendimi i marrë do çojë në mbylljen e Gjykatave të Apelit në Shkodër, Durrës, Vlorë, Korçë e Gjirokastër, në vend të cilave do jetë vetëm një zyrë informacioni për qytetarët.
Në këtë zyrë qytetarët do kenë mundësinë vetëm të depozitojnë kërkesat. Aktualisht 32 mijë dosje presin shqyrtimin në Apel.
Harta e re gjyqësore është hartuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, sipas të cilit kjo bëhej për drejtësi më të prekshme për qytetarët dhe se reforma do e përmirësonte atë.
Harta është kundërshtuar me ashpërsi nga një Dhoma e Avokatisë të cilët zhvilluan edhe disa greva duke braktisur seancat megjithatë pavarësisht kësaj ajo hyn në fuqi sot.
Nga sot zyrtarisht do ketë vetëm një Gjykatë Apeli në Tiranë, 12 Gjykata të Shkallës së Parë dhe 2 Gjykata Administrative, në Tiranë e Lushnjë.
Naureda Llagami, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, organi që ka hartuar hartën e re gjyqësore që hyn në fuqi sot, ka mbrojtur reformën duke theksuar se ajo që po zbatohet në Shqipëri është një tendencë drejt së cilës po shkojnë të gjitha vendet e zhvilluara.
Sipas saj harta e re gjyqësore do rrisë cilësinë e shërbimit që japin gjykatat dhe se synimi është pasja e gjykataver më të mëdha.
Llagami tha se pas tre vitesh rrugëtim reforma është rrugë pa kthim.
Ajo tha gjithashtu se 27 mijë çështje që nuk janë shqyrtuar ende do i nënshtrohen rihedhjes së shortit për t’u shqyrtuar nga trupa gjyqësore prej 25 gjyqtarësh.
“KLGJ pavarësisht masave që mori me rritjen e kuotave për magjistratët e rinj, u pa e udhës që përveç këtyre masave duhej te merreshin masa edhe strukturore, pra harta e re gjyqësore. Ishte një tendencë që sot po shkojnë gjithë vendet e zhvilluara, rritjen e shërbimit të cilësisë që japin këto gjykata. Synojmë që të kemi gjykata më të mëdha, të profilizuara me gjyqatarë të mirë që do ndikojë tek cilësia e vendimmarrjes që do ketë impakt tek publiku. Nuk ishte procesi i lehtë, na mori 3 vjet. Nuk ishte diçka e thjeshtë, pasi përballeshim çdo ditë me prioritete. Nuk do ishte bërë nëse ne s’do kishim edhe mbështetjen e partnerëve tanë. Me gjithë kundërshtitë dhe dilemat arritëm ta miratonim se e kuptuam që ishim në një rrugë pa kthim. Çdo çështje që ka filluar gjykimin, do vazhdojë gjykimin, 1868 çështje. 27 mijë çështjes që janë bashkuar, kanë emigruar dhe janë gati për t’u rishortuar në trupën gjyqësore prej 25 vetash.” – tha Llagami.