Në emisionin live të News 24, Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka treguar detaje nga dëshmia e saj dje në SPAK, ku u mor në pyetje për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Ajo tha se ishte thirrur në cilësinë e personit që ka bërë kallëzimin për këtë çështje.
“Isha e thirrur si persona që ka bërë padi për incenetatorin e Tiranës. reagimi i prokurorisë erdhi si shkak i atij materiali që ne bëmë prezent atë material se çfarë ndodhte me mbetetjet në Tiranë. Ajo çka vjen si rezultat që janë shkelur të gjitha procedurat e lidhjes së një kontrate të paligjshme, për të çuar më tej këto pagesa që fillojnë deri në lidhjen e kontratës. Mendoj se është një proces i cili duhet të ishte bërë me kohë, por më mirë vonë se sa kurrë.” tha Kryemadhi.
Kryemadhi tha se më e pakta që mund të ndodhë për këtë është ndalja e pagesave, ndërsa për inceneratorin e Fierit dhe të Elbasanit janë kontrata që kanë mbaruar. Ajo vijoi se ka në dispozicion pamje filmike dhe e cilësoi këtë çështje si skandal që po ndodh në kryeqytet.
Kryemadhi u shpreh e vendosur t’i shkojë kësaj çështje deri në fund.
“Patjetër. Historia e gjithë këtij investigimi, që në 3 mars, e kam thënë haptazi se do i shkoja deri në fund. Por u bë 2 vite e ca që e ndjek këtë çështje deri në fund.” tha Kryemadhi.