Vendosni fjalën kyçe....

Një tjetër gjigant teknologjik njofton pushime nga puna


Kompania amerikane shumëkombëshe e teknologjisë financiare PayPal ka njoftuar një valë pushimesh nga puna që do ndikojë rreth 2000 punonjës, duke iu bashkuar një mori firmash teknologjike që njoftojnë shkurtime të vendeve të punës me qëllim uljen e kostove.

Vendimi për të shkurtuar rreth 7% të fuqisë punëtore të saj globale do ndihmojë në adresimin e ‘mjedisit sfidues makroekonomik’, shkroi presidenti dhe shefi i kompanisë Dan Schulman në mesazhin e tij drejtuar punonjësve të publikuar të martën.

“Ndryshimi mund të jetë i vështirë, veçanërisht kur përfshin largimin e kolegëve dhe miqve të vlerësuar.” – thuhet në deklaratë.

“Këto largime do ndodhin gjatë javëve të ardhshme, me disa organizata të ndikuara më shumë se të tjerat.” – vijon deklarata.

Schulman premtoi se kompania ‘do i trajtojë kolegët në largim me respektin dhe ndjeshmërinë maksimale, do u ofrojë atyre paketa bujare, do përfshihet në këshillime aty ku kërkohet dhe do i mbështesë ata në tranzicionet e tyre’.

PayPal është bërë i fundit në një karvan gjigantësh të teknologjisë të detyruar të largojnë punonjësit për shkak të rënies së të ardhurave dhe një perspektive të përkeqësuar ekonomike.

Javën e kaluar, kompania suedeze e transmetimit audio Spotify tha se do shkurtojë rreth 600 punonjës. Amazon, Meta dhe Microsoft njoftuan të gjitha pushimet nga puna së fundmi. Alphabet, e cila zotëron Google, tha se do largonte 12,000 punonjës, më shumë se 6% të fuqisë punëtore të saj globale. IBM po pushon gjithashtu rreth 1.4% të stafit të saj.