Vendosni fjalën kyçe....

Norma bazë e interesit mbetet në nivelin 2.75%, Sejko: Ekonomia ka tendencë rritëse


 

Tendenca rënëse e inflacionit dhe rritja më e shpejtë ekonomike e vendit prej 4% në fund të vitit 2022 ka nxitur Këshillin Drejtues të Bankës së Shqipërisë të mos ndryshojë normën bazë të interesit në nivelin 2.75%.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh se inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rritje të lehtë në muajin tetor dhe një reduktim të moderuar në muajin nëntor.

Këto tendenca pritet të vazhdojnë edhe gjatë tremujorëve të ardhshëm. Në veçanti, përditësimi i parashikimeve rikonfirmon pritjet tona se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024. Për sa më sipër Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75%;të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%”, u shpreh guvernatori, Gent Sejko.

Guvernatori Sejko tha se ulja e inflacionit u pasqyrua në rënien e çmimit të naftës, të disa artikujve ushqimore, por edhe me rritjen e pagave e punësimit

“Punësimi u rrit me 4.2%, shkalla e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.6% dhe paga mesatare në sektorin privat u rrit me 12.3% në tremujorin e tretë. Ecuria pozitive e tregut të punës krijon premisa për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen, por sinjalizon edhe për rritje të shpejtë të kostove të prodhimit dhe presione mbi çmimet e konsumit”, tha Sejko.

Pavarësisht ecurisë pozitive, presionet e larta inflacioniste mbeten rreziku kryesor mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit. Sejko theksoi se normalizimi i mëtejshëm i qëndrimit ndaj politikës monetare, mbetet një masë e nevojshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve.