Vendosni fjalën kyçe....

Presidentët shkëmbejnë dhuratat, ai afrikan i jep luanin e balsamosur, bjellorusi i dhuron një traktor


Presidenti i Bjellorusisë Alexander Lukashenko ka marrë si dhuratë një luan të balsamosur nga homologu i tij nga Zimbabveja Emmerson Mnangagwa.

Në këmbim ai i dhuroi kreut të vendit afrikan një traktor për të kultivuar tokat e tij private. Lukashenko mbërriti në vendin afrikan të hënën për një vizitë shtetërore.

Të martën, të dy presidentët mbajtën një ceremoni në kryeqytetin e vendit, Harare, për të shënuar transferimin e makinerive bujqësore bjelloruse në Zimbabve.

Minsku e ka furnizuar vendin me traktorë të shumtë Bjellorus-92 të prodhuara në vend. Në këtë ngjarje, Lukashenko shprehu me jo pak ironi ‘mirënjohjen’ për Perëndimin për mundësinë që i është dhënë vendit të tij për të furnizuar me traktorë Zimbabvenë.

“Dua të falënderoj amerikanët dhe gjithë botën perëndimore për vendosjen e sanksioneve ndaj nesh. Përndryshe, sot në këtë fushë të madhe nuk do të qëndronin traktorët bjellorusë, por ata amerikanë dhe gjermanë.” – tha Lukashenko gjatë ceremonisë.

Udhëheqësi bjellorus i dhuroi gjithashtu një traktor Belarus-92 vetë Mnangagwas, duke e paraqitur personalisht automjetin dhe duke i dorëzuar çelësat. Presidenti i Zimbabvesë pritet të përdorë automjetin për të fermuar në pronën e tij private, vuri në dukje presidenca bjelloruse në një deklaratë.

Mnangagwa, nga ana tjetër, i dhuroi Lukashenkos një luan të balsamosur. Sipas mediave bjelloruse, luani pritet të përfundojë në ekspozitë në pallatin presidencial në Minsk.