Vendosni fjalën kyçe....

SHBA akuzon Rusinë se po shkel traktatin START, nuk lejon inspektimet bërthamore


Shtetet e Bashkuara thonë se Rusia po shkel Traktatin e Ri START, traktati i fundit për armët bërthamore midis dy vendeve. Në gusht, Rusia pezulloi inspektimet e objekteve të saj bërthamore siç parashikohet në traktat.

Organizata “Buletini i Shkencëtarëve Atomikë” lëvizi javën e kaluar akrepat e orës së tij simbolike për të treguar se sa afër vetë-shkatërrimit është njerëzimi. Organizata përmendi agresionin rus në Ukrainë, tensionet bërthamore dhe ndryshimet klimatike, si arsyet kryesore.

Departamenti i Shtetit thotë se Rusia po shkel Traktatin e ri START, i cili kufizon numrin e mbushjeve strategjike bërthamore që mund të dislokojnë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia përmes raketave tokësore, detare dhe bombarduesve për lëshimin e tyre, përcjell VOA.

Shtetet e Bashkuara thonë se Rusia nuk po lejon inspektimin e objekteve të saj, siç e kërkon traktati. Por zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, thotë se Rusia mund të rikthehet lehtësisht tek zbatimi i marrëveshjes.

“Ekziston një rrugë e qartë për kthimin (tek marrëveshja). Ajo që Rusia duhet të bëjë është që të lejojë inspektimet në territorin e saj, ashtu siç veproi për vite me radhë sipas traktatit të Ri START dhe të marrë pjesë në takimin e komisionit konsultativ dypalësh. Asgjë nuk i pengon inspektorët rusë që të vijnë në Shtetet e Bashkuara dhe të zhvillojnë inspektimet”.

Zyrtarët rusë i kanë fajësuar Shtetet e Bashkuara, duke theksuar mbështetjen e Uashingtonit për Kievin, ndërsa Ukraina përballet me agresionin rus. Në gusht, Kremlini pezulloi inspektimet amerikane të objekteve bërthamore ruse. Por nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia ende dëshiron të jetë pjesë e traktatit.

“Pavarësisht se sa e trishtueshme është situata aktuale, ne mund të spekulojmë për të ardhmen. Ne e konsiderojmë si shumë të rëndësishëm vazhdimin e këtij traktati. Për momentin ai nuk është i zbatueshëm, por ndoshta në të ardhmen. Përndryshe, Shtetet e Bashkuara në fakt e kanë shkatërruar kuadrin ligjor”.

Richard Weitz, drejtor i Qendrës për Analiza Politiko-Ushtarake në Institutin Hudson i tha Zërit të Amerikës se ka disa arsye se pse Moska mund të jetë duke shkelur traktatin.

“Në rastin më të mirë, Rusia po përpiqet të kërkojë lëshime të tjera nga Shtetet e Bashkuara, ndoshta të inspektojë më shumë sisteme amerikane. Në rastin më të keq, Rusia po mban peng procesin e kontrollit të armëve strategjike karshi agresionit të saj në Ukrainë”.

Rusia gjithashtu ka refuzuar përjashtimin e përdorimit të armëve taktike bërthamore në Ukrainë, çka ka ushqyer frikën globale për një katastrofë bërthamore.