Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Gjetjet e Komisionit Hetimor Parlamentar do ia çojmë autoriteteve në SHBA


Sali Berisha në një konferencë për mediat deklaroi se largimi i Edi Ramës është kusht dhe domosdoshmëri jetike për vendin.

Sipas Berishës, Rama nuk njeh gjuhë tjetër veçse frikës. Ndërsa për kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, Berisha tha se gjetjet e tij do t’ia çojnë autoriteteve të SHBA.

‘Edi Rama nuk njeh gjuhë tjetër veç frikës. Populli do i tregojë frikën. Ai nuk mund të qëndrojë më. Ai ka turpëruar çdo shqiptar. I ka futur thikë pas shpine, në fushën më sensitive, partnerit kryesor të Shqipërisë dhe kryeaksionerit, liderit në fushën e paqes dhe sigurisë botërore.

Edi Rama nuk mund të qëndrojë duke mohuar dhe duke mashtruar shqiptarët se nuk ka lidhje me mua. Nuk mund të mohojë kur emri i tij është 14 herë në aktpadi. Ndërkohë u depozitua në parlament kërkesa për hetim parlamentar, e firmosur nga 43 deputetë. Ata kanë deklaruar se nuk do e pranojnë, por i garantoj shqiptarët se komisioni do ngrihet dhe Edi Rama do largohet nga pushteti.

Komisioni do japë një kontribut të madh në hetimin e këtij problemi. Gjetjet e tij do ia përcjellë autoriteteve të SHBA. Sikundër komisioni do të përpiqet, në rrugë zyrtare, të vendosë lidhje edhe me komisionin e Kongresit të SHBA, për të hetuar me gjetje dhe fakte të shumta.

Këtu McGonigal është përdorur nga Edi Rama për qëllime nga më të ndryshmet. Duhet të saktësohet se çfarë arsye kanë pasur takimet e tij me SPAK-un e partisë, çfarë kërkesash ka shtruar McGonigal në SPAK-un e partisë ndaj kundërshtarëve të Edi Ramës? Kush e shoqëronte atë? Cilat janë lidhjet? Komisioni hetimor parlamentar është jetik për Shqipërinë. Kjo është një ngjarje nga më të rëndat në historinë e vendit.’- tha Berisha.