Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rama armik i egër i votës së lire, koha të ngrihemi për revolucionin demokratik


Kryetari i PD, Sali Berisha, ka zhvilluar këtë mbrëmje një takim me kryetarë, sekretarë dhe grupet e punës së degëve të Tiranës.

Në fokus të këtij takimi ishte protesta e 11 shkurtit që pritet të mbahet nga opozita përpara kryeministrisë.

Berisha sërish ka vazhduar me akuzat ndaj kryeministrit Rama, duke u shprehur se duhet ta fitojnë këtë revolucion demokratik, siç e quajti ai.

Berisha tha, se pasi Rama korruptoi Bashën, kontribuoi për shpalljen e tij Non Grada.

Largimi i kësaj kalbësire, i këtij bastardi që riprodhon qëndrime Hoxhiste me metoda të reja ndaj opozitarizmit, duhet të njohë fundin që meriton. Unë mendoj se duhet të fitojmë, mendoj se duhet të luftojmë, të ngrihemi, koha është për revolucion demokratik”, tha Berisha.

“ Dua të ritheksoj se ne përballemi me një armik të egër të votës së lirë, opozitës dhe demokracisë. Kemi përballë një njeri i cili siç dëshmuan zhvillimet e fundit, nuk njeh asnjë kufi, asnjë moral në përpjekjet e tij për të shkatërruar opozitën shqiptare. Aktet e tij janë ndër aktet më kriminal.

U tha shqiptarëve se tani do u tregoj unë si do qeveris, do qeveris pa opozitë. Një opozitë që kishte humbur zgjedhjet, s’mjaftonte kjo. Ajo nuk mund të tolerohej, duhej të shkatërrohej e të zhdukej.

Për këtë qëllim duhet të angazhonte organizatën më të fuqishme të planetit, FBI, duhet të korruptonte një nga njerëzit më të rëndësishëm të kësaj organizate për të manipuluar apo hetuar, këto do i tregojë drejtësia. Për qëllimi ishte marrja peng e kreut të opozitës. Për të shndërruar opozitën në një kallp opozitë.

Një akt të tillë nuk e kryen kurrë një njeri që beson në vlerat e sistemin demokratik. McGonigal doli në pension, por operacioni apo farat e mbjella me atë operacion vijuan deri në 2021.

Basha i paditur për larje parash, ra në mëshirën e Edi Ramës, dhe ai në kundërshtim me çdo ligj, i mbylli dosjen.  Pasi i kishte ndërsyer lobostit të PD ndër njerzit më të fuqishmit të FBI, ai tregonte mëshirë duke marrë peng me dosje kryetarin e opozitës.

Ky demon pushteti që urren kundërshtarin njëlloj si i atit i tij, bëri gjithçka që pasi futi në xhep Bashën, përdori Sorosin, FBI etj, për të shpallur non-grata Sali Berishën.

Vetë DASH thotë se bazë për këtë vendim kanë qenë edhe raportet e kontrollit antikorrupsion, që nuk ka njeri tjetër që t’i ketë lexuar veç duarve e zeza që i kanë dërguar.

Ata bëjnë gjithçka që ne të bojkotojmë parlamentin, aty ka një marionetë, e shpëlarë nga çdo normë, që zbaton urdhrat e tij, dhe në një kurth të turpshëm përjashton për interesa të Ali-Bashës katër deputetë. Më tutje nuk shkohet kështu. Ata që besojnë se Shqipëria është vend me potenciale dhe jo për t’u braktisur, duhet të ngrihemi sot o kurrë.

Unë mendoj se duhet të fitojmë, mendoj se duhet të luftojmë, të ngrihemi, koha është për revolucion demokratik”, u shpreh Berisha.