Vendosni fjalën kyçe....

Talebanët arrestojnë profesorin afgan që mbështeste arsimimin e vajzave


Një profesor universiteti në Afganistan, i cili është një kritik i hapur i ndalimit të talebanëve për arsimimin për gratë dhe vajzat, është arrestuar në Kabul, sipas BBC.

Prof Ismail Mashal u arrestua të enjten teksa shpërndante libra falas.

Ai u bë i njohur pasi grisi të dhënat e tij akademike drejtpërdrejt në televizion në shenjë proteste kundër ndalimit të talebanëve për arsimin universitar dhe të mesëm për gratë dhe vajzat.

Prof Mashal, 37 vjeç, është akuzuar për “veprime provokuese” nga talebanët.

Ai akuzohet se po përpiqet të dëmtojë qeverinë e talebanëve duke ftuar gazetarët të grumbullohen në një rrugë kryesore dhe të krijojnë “kaos”, shkroi në Twitter Abdul Haq Hammad, një zyrtar taleban nga Ministria e Informacionit dhe Kulturës.

Dëshmitarët okularë raportuan se profesori u godit me shuplakë, grushta dhe shkelma nga forcat e sigurisë talebane gjatë arrestimit, megjithatë Abdul Haq Hammad tha se profesori po trajtohej mirë gjatë kohës që ishte në paraburgim.

Kur talebanët njoftuan në dhjetor se studentet femra të universitetit nuk do të lejoheshin më të studionin deri në njoftimin e mëtejshëm, Prof Mashal mbylli shkollën e tij plotësisht, duke thënë se “arsimimi u ofrohet të gjithëve ose askujt“.

Ai ka premtuar se nuk do të heshtë për këtë çështje, edhe nëse i kushton jetën. Videoja e momentit kur ai grisi të dhënat e tij akademike në televizion u bë virale.

Që atëherë, ai ka marrë shumë kërcënime. Por pavarësisht kësaj, ai shfaqet pothuajse çdo ditë në mediat lokale, si dhe i jep libra falas nga një karrocë për këdo që guxon ta marrë një të tillë.