Një 39-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi u kap me doza hashashi gati për shitje.
Në prangat e policisë ra shtetasi Jurgen (Klodian) Sula banues në Tiranë.
Këtij shtetasi iu sekuestruan 540 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, peshore elektronike dhe qindra qese farmaceutike.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Procesi”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi J.(K.) S., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, në rrugën “Ramazan Kasa”, shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 540 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 peshore elektronike dhe qindra qese farmaceutike për ndarjen në doza të lëndëve narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një aparat celular.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”-njofton policia.