Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se vodhi para në banesën ku pastronte, arrestohet sanitarja në Tiranë


Policia ka arrestuar një shtetase e cila dyshohet se ka vjedhur para në një banesë ku po pastronte.

Shtetasja Elida Kodra dyshohet se ka vjedhur në banesës e shtetasit Z.E ku ishte punësuar për të pastruar rreth 2500 euro.

Policia ka arritur të sekuestrojë pas kontrollit në banesën e pastrueses vetëm 840 euro, 600 dollarë dhe 40900 lekë.

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Gracka”.

Vodhi shuma parash në një banesë, vihet në pranga ish-punonjësja e mirëmbajtjes së kësaj banese.

Sekuestrohen 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në provat e siguruara gjatë një pune të mirëfilltë hetimore për vjedhjen e disa shumave parash, në një banesë në rrugën “Vaso Pasha”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gracka”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetases E. K., banuese në Tiranë.

Nga provat e siguruara gjatë hetimit ka rezultuar se shtetasja E. K., e cila ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e banesës së shtetasit Z. E., në rrugën “Vaso Pasha”, gjatë javës së fundit ka vjedhur në këtë banesë, 2000 euro, 300 dollarë dhe 35 000 lekë të rinj.

Gjatë kontrollit të çantës së shtetases E. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.

Ky është rasti i dytë i bërë publik që një pastruese vjedh në një banesë dhe arrestohet nga policia pas rastit të Rozeta Dobit që dyshohet se ka vjedhur në banesat ku punonte rreth 500 mijë euro.