Vendosni fjalën kyçe....

Kriza e tregut kinez të pronave nuk ka përfunduar – FMN


Kina po përballet ende me një krizë të pasurive të paluajtshme dhe qeveria e saj ka shumë punë për të bërë për të rregulluar problemet, tha të premten Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Sektori i pronave, që përbën një të katërtën e ekonomisë kineze, ka luftuar me dështimet dhe projektet e ngecura, duke goditur besimin e tregut dhe duke zvarritur rritjen në ekonominë e dytë më të madhe në botë.

Ekonomistët e FMN-së mirëpritën masat e fundit nga autoritetet e vendit për të lehtësuar kufizimet në financimin e sektorit, por theksuan se do nevojiten ‘veprime shtesë’ për t’i dhënë fund krizës së pasurive të paluajtshme.

“Nëse shikoni masat, shumë prej tyre trajtojnë çështje financimi për zhvilluesit që janë ende në gjendje relativisht të mirë financiare, kështu që kjo do ndihmojë”, tha për CNBC zëvendësdrejtori në Departamentin e Azisë Paqësorit të FMN-së, Thomas Helbling.

Megjithatë, zhvilluesit e pronave po përballen ende me vështirësi ‘të rënda’, vuri në dukje ai, duke shtuar se ‘çështja e stokut të madh të banesave të papërfunduara më gjerësisht nuk është trajtuar ende’.

Pandemia e Covid-19 ka prekur seriozisht tregun e banesave, duke shkaktuar vështirësi financiare duke rezultuar në një ngadalësim të ndërtimit në vendin ku apartamentet zakonisht u shiten para konsumatorëve. Vitin e kaluar, disa blerës të shtëpive madje ndaluan pagesat e tyre të hipotekës në shenjë proteste.

Autoritetet kineze theksuan më pas nevojën për të ndihmuar zhvilluesit të përfundonin ndërtimin e atyre apartamenteve të parashitura. Megjithatë, hapësira e banimit e shitur në Kinë ra me pothuajse 27% vitin e kaluar, ndërsa investimet në pasuri të paluajtshme ranë me 10%, sipas numrave zyrtarë.

Tani Pekini duhet të kuptojë se si mund të arrihet ristrukturimi dhe kush do të thithë humbjet, tha Helbling.

“Përndryshe, sektori do vazhdojë të bjerë dhe do të mbetet një rrezik dhe gjithashtu do të kufizojë familjet që janë të mbiekspozuara ndaj sektorit të pronave dhe do kenë para të gatshme dhe kursime të lidhura, gjë që do jetë një pengesë për rimëkëmbjen më të gjerë ekonomike.” – shtoi ai.