Nuk ndalen protesta nga banorët e zonës së Bërxullës të cilët kanë dalë sërish ditën e sotme për të protestuar mbi projektin e aksit rrugor Thumanë-Kashar.
Forcat e policisë gjithashtu kanë qënë prezente duke monitoruar protestën që po zhvillohet.
Kjo nuk është protesta e parë që ndodh nga banorët e kësaj zonë lidhur me këtë shqetësim, pasi banorët nuk janë dakord me skemën e shpronësimit të pronave të tyre që preken nga projekti i rrugës, sepse sipas tyre çmimi i tregut për pronat e tyre është rreth 50 euro për metër katror, ndërsa atyre u është ofruar një kompensim me rreth 4 euro për metër katror, gjë që ata e kanë refuzuar kategorikisht.
Një prej banorëve ka bërë thirrje se kjo rrugë do ketë fatin e kalasë së Shkodrës, duke thënë se “rruga do ndërtohet ditën e do shembet natën”, ndërsa të tjerë banorë të zonës kanë deklaruar në kor se “do t’i mbrojnë pronat me gjak”.
Sakaq, banorët kanë tentuar më tej të kalojnë në rrugë, ku janë përplasur edhe me kordonin e forcave policore të cilët nuk kanë mundur të ndalojnë banorët e zonës të bllokojnë rrugën që të dërgon drejt aeroportit të Rinasit.
“Nuk kemi pasur kontakt me instancat shtetërore. Nuk ka asnjë lloj komunikimi me ne si banorë, vijnë individë të veçantë të firmës, specialistë të rrugës për të bërë ndonjë kontakt me ne, por ata janë njerëz që nuk luajnë rol në kërkesat tona. Kërkesa e parë është vlerësimi i pronës sipas tregut ose të gjejmë një marrëveshje. E dyta është certifikimi i pronave sepse ka prona pa certifikata, dokumentet ndodhen në hipotekë.
Banorët janë shprehur të irrituar se shteti duhet të dëgjojë zërin e tyre sepse fshati rrezikon zhdukjen duke u ndarë në 3 pjesë.